TIRANË- Gjykata e Posaçme heq masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ për ish administratorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës Edmond Tërthorja.
Trupa gjykuese e përbërë nga Rudina Palloj, Erjon Çela dhe Besmir Stroka pranuan kërkesën e tij për zëvendësim të masës së sigurisë në detyrim paraqitje.
Tërthorja është i detyruar me vendim gjykate të paraqitet pranë oficerit të policisë gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit të hënën e parë të çdo muaji në orën 10.00.
Në shkurt të këtij viti, SPAK dha pretencën për Edmond Tërthoren dhe të pandehurit e tjerë, duke kërkuar 3 vite burg, dënim i cili zbret në 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe ti hiqet drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Ky i fundit dhe zyrtarë të tjerë të Universitetit Bujqësor të Tiranës akuzohen se abuzuan me disa procedura prokurimi përmes falsifikimit të akteve me qëllim fryrjen e fondeve limit dhe paracaktimin e fituesve.


