Trump pranon kërkesën e Kim Kardashian

schedule22:57 - 6 Qershor, 2018

schedule 22:57 - 6 Qershor, 2018

Presidenti amerikan Donald Trump ka falur 63-vjeçaren afro-amerikane Alice Johnson, që po kryen një dënim me burgim të përjetshëm për krime të lidhura me drogën. Çështja e Johnson u ngrit javën e kaluar, kur modelja Kim Kardashian u prit posaçërisht nga Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas mediave amerikane, Trump ka pranuar se krimet e Johnson nuk kanë qenë të dhunshme, si dhe faktin se ka qenë një e burgosur model që ka punuar shumë për t’u rehabilituar. Johnson u dënua në vitin 1996 bashkë me 15 persona të tjerë, për pjesëmarrje në një rrjet të shpërndarjes së kokainës.

Ajo u shpall fajtore për akuzat e posedimit të drogës të mbetur në tentativë dhe pastrim parash. Tani ajo pritet të lirohet së shpejti. Johnson kishte përmbushur kriteret për të fituar lirinë edhe në kuadër të programit të mëshirës, të presidentit Barack Obama, por lirimi i saj u refuzua pak ditë para përfundimit të mandatit të tij./abcnews.al