Trump: Nëse Biden fiton Kolegjin Elektoral, largohem nga Shtëpia e Bardhë

schedule07:33 - 27 Nëntor, 2020

schedule 07:33 - 27 Nëntor, 2020

Presidenti i SHBA Donald Trump është shprehur të enjten se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, nëse Kolegji Zgjedhor voton për Presidentin e zgjedhur Joe Biden. Kjo është një tjetër deklaratë që e sjell presidentin në detyrë afër pranimit të humbjes në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Trump në deklaratën e tij para gazetarëve me rastin e festës së Falënderimeve, ka thënë se nëse demokrati Biden, i cili do të bëjë betimin më 20 janar, çertifikohet si fitues i zgjedhjeve nga Kolegji Elektoral, ai do të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Ndër të tjera ai ka shtuar se do të ishte e vështirë për të që të pranonte humbjen në rrethanat aktuale. Gjithashtu, ai nuk pranoi të thoshte nëse do të merrte pjesë në inaugurimin e zotit Biden.

Këto zgjedhje ishin një mashtrim,” thekson Trump,  ndërsa vazhdoi të mos ofronte prova konkrete për parregullsi masive në votime. Më herët ai foli përmes një videokonference me ushtarakët amerikane për t’u uruar festën.

Joe Biden i fitoi zgjedhjet me 306 vota të Kolegjit Elektoral, shumë më tepër sesa 270 që nevojiteshin, kundrejt 232 të fituara nga Presidenti Trump. Elektorët do të mblidhen më 14 dhjetor për të zyrtarizuar rezultatin. Gjithashtu Biden mori 6 milion vota popullore më shumë sesa Trump.

Presidenti Trump deri tani ka refuzuar të pranojë plotësisht humbjen, megjithëse javën e kaluar, me presionin në rritje nga radhët e tij republikane, ai ra dakord të lejonte zyrtarisht ekipin e Biden të fillonte procesin e tranzicionit.

I pyetur nëse do të largohej nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Elektoral voton për Biden, Presidenti Trump ka thënë që patjetër që do e bëjë një veprim të tillë.

“Sigurisht që do ta bëj. Padyshim që do ta bëj. Dhe ju e dini këtë. Por unë mendoj se do të ketë shumë gjëra që do të ndodhin nga tani deri në 20 janar. Shumë gjëra.Është gjetur mashtrim masiv. Jemi bërë si një vend i botës së tretë”, është shprehur Trump.

Përpjekjet e dëshpëruara të zotit Trump dhe të ndihmësve të tij për të përmbysur rezultatet në shtetet kryesore, ose me procese gjyqësore ose me presion ndaj ligjvënësve të shtetit, kanë dështuar dhe alternativat e tij po shterrojnë.e.su./abcnews.al