Sondazh

Berisha bëri protestë me flamur gjerman. Por ndaj dhunës së saj reagon ashpër Gjermania:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Trump: Ndryshimi i regjimit në Iran do të ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhë

schedule09:20 - 14 Shkurt, 2026

schedule 09:20 - 14 Shkurt, 2026

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se ndryshimi i regjimit në Iran do të ishte “gjëja më e mirë që mund të ndodhë”, duke dhënë një nga qëndrimet e tij më të drejtpërdrejta në favor të zëvendësimit të establishmentit klerikal në Teheran.

“Prej 47 vitesh ata vetëm flasin. Ndërkohë, kemi humbur shumë jetë”, tha Trump të premten, duke shtuar se ekzistojnë “njerëz” që mund të marrin drejtimin e Iranit, pa përmendur emra konkretë. Deri tani, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, nuk ka reaguar ndaj deklaratave të tij.

Në një zhvillim paralel, SHBA-ja ka dërguar një aeroplanmbajtëse të dytë në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të rritur presionin ndaj Iranit për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore.



Bëhet fjalë për USS Gerald R. Ford, anija më e madhe luftarake në botë dhe aeroplanmbajtësja më e re amerikane, e cila sipas Trump pritet të zhvendoset “shumë shpejt” nga Karaibet drejt rajonit. Ajo do t’i bashkohet USS Abraham Lincoln, që tashmë ndodhet në Lindjen e Mesme.

Trump publikoi në platformën e tij Truth Social një fotografi ajrore të aeroplanmbajtëses, që sipas tij është në lëvizje drejt zonës së tensionuar.

Pentagoni kishte dërguar më herët aeroplanmbajtësen në janar, pas kërcënimeve të SHBA-së për goditje ndaj Iranit në përgjigje të shtypjes së protestave masive, gjatë të cilave u raportua për mijëra viktima.

Protestat përbënin një nga sfidat më të mëdha për regjimin iranian që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, i cili vendosi sistemin klerikal nën drejtimin e një Udhëheqësi Suprem.

Megjithatë, pas takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, Trump deklaroi se negociatat me Teheranin do të vazhdojnë.

Duke folur në Fort Bragg, ai theksoi se Irani duhet “të japë marrëveshjen që duhej ta kishte dhënë që herën e parë”, nëse dëshiron të shmangë një sulm të mundshëm.

Çfarë kërkon Uashingtoni?

SHBA-ja kërkon që Irani të ndalë pasurimin e uraniumit, ndërsa qeveria izraelite këmbëngul që Teherani të heqë dorë edhe nga programi i raketave balistike dhe mbështetja për grupe të armatosura si Hamasi dhe Hezbollahu.

Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se vendi është i gatshëm të kufizojë programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, por paralajmëroi se Irani “nuk do t’u nënshtrohet kërkesave të tepruara”.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e arritur në kohën e administratës Obama dhe rivendosi sanksione që kanë rënduar ndjeshëm ekonominë iraniane.

Administrata amerikane rifilloi bisedimet vitin e kaluar për një marrëveshje të re, përpara shpërthimit të luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!