Tregtarët e Shkodrës do të “braktisin” rrugën

schedule16:29 - 6 Tetor, 2018

schedule 16:29 - 6 Tetor, 2018

Në Shkodër, bashkia ka investuar rikonstruktimin e Merkatës së Rusit. Por tregtarët që prej gjashtë muajsh tregojnë në rrugë, duket se nuk i ka kënaqur ajo çfarë është bërë në tregun e fruta-perimeve në Shkodër.

Për pak ditë çdo gjë është gati. Tregtarët ambulantë do të rikthehen në ambientin e rikonstruktuar të Merkatës së Rusit. Ose siç njihet ndryshe tregu i fruta-perimeve në Shkodër. Por ky investim duket se nuk i ka kënaqur tregtarët. Ata thonë se banakët janë shumë të vegjël dhe e gjithë zona është e ekspozuar pasi nuk ka mbulesë.

“S’ka kushte aspak. Kabinat janë të vogla, të papërshtatshme, pa kushte brenda standardeve”, tha një shitës tjetër.

“Nuk është për ne, nuk i ka kushtet tamam”, u shpreh një tjetër.

“Ka bërë pothuajse një kaçorre pëllumbash. S’ka bërë banaqe. Dy arka domate s’kemi ku i vendosim, njëkohë që banaku ka qenë superbanak”, tha një tjetër shitës.

Në tregun e lagjes Rus në Shkodër, Bashkia ka rreth 6 muaj që ka nisur rikonstruksionin me një fond prej 30 milionë lekësh, ku janë përfshirë edhe sistemimi i kanalizimeve si dhe vendosja e banakëve.

“Në rrugë kemi qenë gjithë kohës, por tani kemi dalë midis rrugës. Kushtet janë pothuajse hiç të rregullta për ne”, u shppreh shitësi.

Në këtë treg kanë qenë rreth 60 tregtarë që zhvillonin aktivitetin e tyre. Kurse tani këtu janë vendosur 116 banakë. Prej 6 muajsh, ata shisnin produktet në mes të rrugës, që nga peshku e deri te fruta-perimet./abcnews.al