Presidenti i FIFA, Gianni Infantino vazhdon të humbasë mbështetjen e familjes botërore të futbollit.
Federata e Zelandës së Re ka njoftuar tërheqjen e mbështetjes për rizgjedhjen e tij si dhe ka kërkuar një shqyrtim të pavarur të planit, tashmë të braktisur për t’ia hapur dyert e FIFA-s investitorëve privatë. Infantino po përballet sërish me kritika këtë javë, pasi organet drejtuese të futbollit evropian UEFA, atij të Amerikës së Veriut (CONCACAF) dhe atij aziatik (AFC), të vendosura për ta larguar atë nga presidenca e FIFA, para se të mund të kandidojë për një mandat të ri në mars të vitit 2027, publikuan një letër të hapur drejtuar botës së futbollit, ku dënojnë mënyrën e tij të menaxhimit duke përmendur një “humbje të besimit”. “Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, federata e Zelandës së Re beson se vendime dhe veprime të caktuara brenda FIFA-s kanë kontribuar në humbjen e besimit dhe kanë thelluar përçarjet në futbollin ndërkombëtar,” deklaroi federata.
“Ky moment paraqet një mundësi që të gjitha federatat anëtare të FIFA-s të kërkojnë një qeverisje më të fortë, llogaridhënie më të madhe dhe transparencë të shtuar – elemente thelbësore për ruajtjen e besimit te menaxhimi i futbollit botëror,” pohoi më tej federata e Zelandës së Re. Ajo u organizata më e fundit anëtare e FIFA që tërhoqi mbështetjen për Infantinon, ndërsa të njëjtën gjë kanë bërë më parë edhe Federata të tjera, përfshirë edhe atë të Shqipërisë.
Zvicerani 56 vjeçar, i cili synon rizgjedhjen në krye të organit drejtues të futbollit botëror në muajin mars, është përballur me një krizë që nga zbulimi publik i planit të tij për të shitur një pjesë të të drejtave komerciale të Kupës së Botës te fondet private të investimeve.


