Thirrjet fetare nga tifozët e Tiranës, Nano: Show i shëmtuar nga një masë talebanësh

schedule20:58 - 28 Maj, 2019

schedule 20:58 - 28 Maj, 2019

Në monologun e tij gjatë emisionit “Provokacija” Mustafa Nano u ndal në thirrjet fetare që grupi i tifozëve të Tiranës lëshoi gjatë ndeshjes ndaj Laçit. Në sfidën që u zhvillua të dielën, tifozët dëgjoheshin të thirrnin “Allahu Ekbar” ndërkohë që nxiteshin nga njëri prej tyre, i cili thërriste “Tekbir”.

Nano ka mbetur i shokuar nga kjo ngjarje. Megjithatë, ai nuk i konsideron personat e përfshirë në këtë ngjarje as besimtarë dhe as tifozë sepse sipas tij nuk mund të jenë tifozë njerëzit që shkallët e stadiumit i kthejnë në xhami.

“Mbeta pa fjalë, por të thuash mbeta pa fjalë është shumë pak. Unë u shokova, u trondita, nga kjo trimëri, nga ky guxim i disa djemve, të cilët identitetin e tyre fetar ta shpalosin në mënyrë spektakolare në shkallët e një stadiumi. Dikush mund të thotë që këta nuk janë as besimtarë dhe as tifozë. Në fakt edhe unë kështu mendoj, këta nuk janë as besimtarë dhe as tifozë. Por nëse dikush vë dorën në zjarr dhe thotë që janë besimtarë këta, unë jam i sigurtë që këta nuk janë tifozë. Nuk mund të jenë tifozë njerëzit që shkallët e një stadiumi i kthejnë në një xhami. Në Prishtinë kohët e fundit patëm një iftar të shtruar nëpër rrugë që për mua është një gjë e shëmtuar. Megjithatë nuk e krahasoj me këtë”, tha Nano.

Të gjithë ngjarjen, moderatori i emisionit e ka konsideruar si një show të shëmtuar, ndërsa grupin e tifozëve si një masë talebanësh, për të cilën i bën thirrje drejtuesve të Klubit të Tiranës që të distancohet nga ata.

Ky për Nanon është një problem shumë i rëndësishëm pasi përbën thembrën e Akilit për vendin tonë. Kjo pasi që në momentin që jemi formuar, kombi shqiptar është shpikur si një etnitet multifetar dhe uniteti mund të komprometohet nga këto sjellje.

“Ajo që ne pamë është një show i shëmtuar që duhet ndaluar. Do doja t’i bëja thirrje drejtuesve të Tiranës që të mbajnë distancë nga ky grup tifozësh sepse nuk janë tifozë, nëse drejtuesit e klubit të Tiranës nuk do donin të futeshin në Guinnes sepse nuk ka ndodhur në një vend tjetër. Do doja që drejtuesit e Tiranës të ndalonin në këtë moment që të ndanin masën e madhe të tyre nga kjo masë e vogël talebanësh. Edhe tifozët e Tiranës vetë të marrin distancë nga ky grup i vogël që janë aty për qëllime politike. Do doja t’u bëja thirrje dhe kolegëve të mi që kanë studio të ngjashme me timen që në vend që të ndalen pambarimisht dhe të diskutojnë lidhur me Bashën, Ramën, Metën, Sali Berishën, do doja të ndalnin diskutimet e tyre dhe tek ky problem sepse është një problem i madh. Ky ekspozon thembrën tonë të Akilit. I bëj thirrje edhe eksponentëve të politikës që këto kohë po kacafyten që në vend që të merren me çikërrimat do doja ta drejtonin vëmendjen dhe tek ngjarje të tilla që mund të ketë pasoja të rëndësishme në jetën e një kombi siç është kombi shqiptar që ngrihet mbi strukturën shumë fetare të tij. Do doja t’i bëja një apel edhe intelektualëve myslimanë shqiptarë që i shoh herë pas here që shkruajnë për çështje të ndryshme që na shqetësosjnë. Kjo është Ok, u heq kapelen, por do doja të ndaleshin te problemet me komunitetin mysliman të cilit i përkasin, të ndaleshin tek gjërat e tilla, çështjet e tilla që na turpërojnë si komb. Kjo tendencë, për t’i nxjerrë emocionet dhe sentimentet fetare në rrugë na turpëron si komb, na nxjerr në mesjetë dhe mendoj se intelektualët myslimanë duhet të jenë të parët që duhet të reagojnë. U bëj thirrje imamëve në Shqipëri që të distancohen nga këta djem dhe të thonë që nuk përfaqësojnë islamin nëse është e vërtetë që nuk përfaqësojnë islamin. Do doja shumë që imamët ta bënin këtë gjë, por kam frikë se nuk do ta bëjnë këtë gjë sepse i shoh të terrorizuar, janë njerëzit më të trembur nga njerëz të tillë. As në studiot televizive nuk vijnë për të folur për gjëra të tilla. Jam realisht i shqetësuar sepse përsëris idenë time që e dinë të gjithë, shoqëria shqiptare, kombi shqiptar, qysh në krye të herës, është formuar, është shpikur si një etnitet multifetar dhe ky komb do ruhet si i tillë, mirëpo ne këtë unitet do ta kompromentojmë nëse tolerojmë sjellje të tilla”./abcnews.al