Tabaku: Dje PS u bë mburojë e aferës së inceneratorëve, faktet do i çojmë në SPAK

schedule12:09 - 20 Janar, 2022

schedule 12:09 - 20 Janar, 2022

Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët Jorida Tabaku deklaroi sot në një deklaratë për shtyp se vota kundër e PS një ditë më parë tregoi se ajo është bërë mburojë e këtij skandali.

“Ju keni qenë vetë prezent në përpjekjet që kanë pasur anëtarët e SHBA sa herë kemi kërkuar të na kthejnë përgjigje. Deputetët socialist nuk arritën të kalojnë mbi axhendën e tyre politike. Me votën e tyre treguan që afera e inceneratorëve nuk përfshin vetëm Lefter Kokën.

Në Elbasan janë të përfshirë kryetari i bashkisë Qazim Sejdini dhe zyrtarë të ministrisë së Financave. Pagesa që po i bëhet inceneratorit të Fierit ka hasur në kundërshti nga KLSH duke kërkuar që duhet vendosur një gjykatë në Shqipëri për të zgjidhur problemet mes palëve. Qeveria e ka refuzuar dhe vazhdon në Gjykatën e Arbitrazhin. Sot e përdor si justifikim”, tha ajo.

Tabaku deklaroi se në ditët në vijim do të bëjnë publike çdo fakt që kanë marrë. Ajo tha se është fatkeqësi që Komisionet Hetimore kanë këtë fat në Kuvendin e Shqipërisë dhe bllokohen sipas saj me forcën e kartonëve.

“Në ditët në vijim do bëjmë publike çdo fakt që kemi marrë dhe do depozitojmë në SPAK. Do përpiqemi ta bëjmë transparencën përmes jush. Është fatkeqësi e madhe që Komisionet Hetimore kanë këtë fat në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë legjislaturë është Komisioni i dytë parlamentar që përballet me forcën e kartonëve.

Do kisha shpresuar që edhe për çështjen e privatësisë në hetim SPAK të kishte proceduar njëkohësisht dhe bashkë me Kokën të kishin shkuar para drejtësisë edhe persona të tjerë.

Kuvendi nuk mund ta pengojë hetimi. Jemi duke pritur atë vendim. Denoncimi do vazhdojë dhe bërja publike e fakteve do të vazhdojë dhe faktet do bëhen publike. Do ishte më mirë që kjo të bëhej në zyrat e Kuvendit, ashtu si i takon një komisioni hetimor”, deklaroi Tabaku. /abcnews.al