SHBA: Do të ndalojmë vizat për izraelitët që sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor

schedule15:24 - 1 Dhjetor, 2023

schedule 15:24 - 1 Dhjetor, 2023

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka informuar Izraelin do të ndalojë vizat për kolonët ekstremistë izraelitë të përfshirë në dhunën kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe kabinetit të luftës izraelite se SHBA do të ndërmarrë veprime kundër një numri të paspecifikuar njerëzish.

Dhuna, e cila këtë vit arriti nivelin më të keq në 15 vjet, u përkeqësua pas shpërthimit të luftës midis Hamasit dhe Izraelit më 7 tetor.

SHBA ka shprehur vazhdimisht shqetësimet e saj për rritjen e dhunës në Bregun Perëndimor, duke theksuar se diçka e tillë duhet të marrë fund. Biden në një shkrim të botuar më 18 nëntor në Washington Post kërcënoi se do të merrte masa kundër atyre që ishin përgjegjës.

“Unë ia kam thënë haptazi udhëheqësve të Izraelit se dhuna ekstreme kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor duhet të ndalet dhe se ata që janë përgjegjës do të dënohen. SHBA është e gatshme të marrë masa, duke përfshirë ndalimin e dhënies së vizave për ekstremistët që sulmojnë civilët në Bregun Perëndimor”, ka theksuar presidenti amerikan.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Uashingtoni dëshiron që Izraeli të sjellë para drejtësisë përgjegjësit, por deri më tani nuk ka parë asnjë veprim të tillë.

Ndalimi i vizave mund të hyjë në fuqi në javët e ardhshme, shtoi ai. Sipas shifrave të OKB-së, sulmet e kolonëve në Bregun Perëndimor janë më shumë se dyfishuar që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit që shkaktoi 1200 të vrarë.

Si hakmarrje, Izraeli bombardoi Rripin e Gazës dhe nisi operacionet tokësore në enklavë, duke vrarë më shumë se 15,000 njerëz, më shumë se 6,000 prej të cilëve janë fëmijë.

/abcnews.al