SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve voton pro ligjit për përgjimin

schedule21:37 - 11 Janar, 2018

schedule 21:37 - 11 Janar, 2018

Kongresi Amerikan ka miratuar një ligj që i lejon agjentët e inteligjencës të përgjojnë persona, të cilët dyshohen se mund të jenë një kërcënim potencial për SHBA. Lidhur me këtë çështje, presidenti Donald Trump ka habitur qytetarët pasi fillimisht u shpreh kundër më pas tha se kishte drejtuar punimet për ligjin.

5 vjet pas shpërthimit të skandalit “Nsagate”, ku Eduard Snouden zbuloi se Shtetet e Bashkuara spiunuan sistematikisht të gjithë botën, duke përfshirë udhëheqësit e vendeve mike dhe vetë amerikanët, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ligjin “FISA”, ose ndryshe “Akti i Mbikqyrjes së Inteligjencës së Jashtme”. Kjo autorizon agjentët kompjuterikë të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë që të vazhdojnë të shqyrtojnë mesazhet dhe thirrjet telefonike të kujtdo që konsiderohet një kërcënim potencial për SHBA.

Masa për lejimin e përgjimit është aprovuar me 256 vota pro dhe 164 kundër, pavarësisht gafës së presidentit Donald Trump, i cili me anë të një mesazhi në Tuitër, la të kuptohet se nuk kishte kuptuar asgjë nga ligji. Fjalët e kreut të Shtëpisë së Bardhë ngjallën panik në Uashington, pasi u dyshua se nuk ishin fjalët e Trump. “Dhoma e Përfaqësuesve voton për ligjin kontrovers FISA. Ky është një ligj që mund të jetë përdorur, me ndihmën e dosjeve të rreme dhe të diskredituara, për të monitoruar dhe abuzuar fushatën zgjedhore të Trump nga administrata e mëparshme dhe të tjerët?”, shtron pyetjen lideri amerikan.

Ndërsa pa kaluar shumë kohë, Trump publikon një mesazh tjetër po në Tuitër: “Personalisht kam drejtuar rregullimin e procesit të demaskimit që prej marrjes së detyrës dhe votimin e sotëm rreth përgjimit të jashtëm ndaj kriminelëve të huaj në një vend të huaj. Ne kemi nevojë për të! Tregohu i zgjuar”.

Në vetëm një orë, presidenti amerikan ka treguar një paqëndrueshmëri të madhe në qëndrimin e tij. Sipas analistëve, kjo shton dhe më shumë dyshimet lidhur me shëndetin mendor të Trump./abcnews.al