SHBA dhe NATO i japin përgjigje me shkrim Rusisë: Kërkesat të papranueshme

schedule20:26 - 26 Janar, 2022

schedule 20:26 - 26 Janar, 2022

Shtetet e Bashkuara dhe NATO i kanë dhënë përgjigje me shkrim kërkesave të Kremlinit në një kohë që Moska po planifikon të pushtojë Ukrainën.

Ambasadori amerikan në Moskë John Sullivan ia dorëzoi përgjigjen zëvendësministrit të Jashtëm të Rusisë, Aleksandër Grushko. SHBA nuk e ka bërë publike përgjigjen e saj, por tashmë ka paralajmëruar se kërkesat kryesore të Rusisë janë të papranueshme.

Duke folur në Bruksel të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha: “Ne i bëjmë thirrje Rusisë edhe një herë që të de-përshkallëzojë menjëherë situatën. NATO beson se tensionet dhe mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë”.

Stoltenberg përsëriti thirrjen e tij për Moskën dhe NATO-n që të rivendosin zyrat e tyre përkatëse në Bruksel dhe Moskë dhe të përdorin plotësisht kanalet ushtarake të komunikimit për të promovuar transparencën dhe për të zvogëluar rreziqet.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se letra drejtuar qeverisë ruse përcakton një “rrugë serioze diplomatike” për të zgjidhur konfrontimin rreth Ukrainës.

Ne e bëjmë të qartë se ka parime thelbësore që ne jemi të përkushtuar t’i mbështesim dhe mbrojmë, duke përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe të drejtën e shteteve për të zgjedhur marrëveshjet dhe aleancat e tyre të sigurisë” tha Blinken pas dorëzimit të letrës në Moskë.

Blinken iu drejtua mediave menjëherë pasi zëvendësi i tij Wendy Sherman tha se Shtetet e Bashkuara mbetën të bindura se Putini ishte gati të përdorte forcën kundër Ukrainës deri në mes të shkurtit.

Ai tha se letra theksonte se Kievi mund të zgjedhë aleatët e vet, duke kundërshtuar kërkesën e Moskës për një premtim se Ukraina nuk do të bashkohet me aleancën e NATO-s.

Blinken u tha gazetarëve se letra nuk do të bëhej publike, “sepse ne mendojmë se diplomacia ka shanset më të mira për të pasur sukses”. Ai tha se do të flasë me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në ditët në vijim për përgjigjen e tij ndaj qëndrimit të SHBA-së.

Ne kemi trajtuar mundësinë e masave të transparencës reciproke në lidhje me tregimin e forcës dhe Ukrainën, si dhe masat për të rritur besimin në lidhje me stërvitjet dhe manovrat ushtarake në Evropë“, tha ai.

Letra, e cila u koordinua me Kievin dhe aleatët e SHBA-së në Evropë, hap gjithashtu derën për avancimin e bisedimeve për kontrollin e armëve me Rusinë mbi çështjen e raketave dhe armëve bërthamore të pozicionuara në Evropë.

Stoltenberg tha se ishte i gatshëm të dëgjonte shqetësimet e Rusisë dhe se të gjitha kombet kishin të drejtë të zgjidhnin vetë marrëveshjet e tyre të sigurisë. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, megjithatë, tha më herët të mërkurën se Stoltenberg kishte “humbur kontaktin me realitetin”, kur u pyet për rritjen e pranisë së NATO-s pranë kufijve të Rusisë.

/abcnews.al