Serbia “përgatitet” për zgjedhjet në Kosovë

schedule12:40 - 23 Janar, 2025

schedule 12:40 - 23 Janar, 2025

Lista serbe, pjesë e garës elektorale në Kosovë ka mbështetjen zyrtare të partisë Përparimtare Serbe, drejtuar nga presidenti Aleksandër Vuçiç, ç’ka ka bërë që Beogradi të angazhohet edhe për të organizuar votimin e personave të zhvendosur nga Kosova, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, me 9 shkurt.

Sipas kryeministrit Millosh Vuçeviç, me pjesëmarrjen në zgjedhje sigurohet mbrojtja e popullit serb të Kosovës. Në këtë proces është përfshirë edhe Komisariati për Refugjatë dhe Migrim, që është organizatë shtetërore ne Serbi.

Ky institucion i ka bërë thirrje personave të zhvendosur nga Kosova në Serbi, që të votojnë në zgjedhje, dhe ka bërë më dije se transporti deri në vendvotime, do të organizohet për të gjithë të interesuarit, ndërsa theksojnë se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë janë të një rëndësie të madhe “për mbijetesën e popullit serb” dhe se është e rëndësishme që “bashkatdhetarët ta ushtrojnë të drejtën e votës”.

Zyrtarë të lartë të Listës Serbe flasin vazhdimisht për “terror” dhe “persekutim” nga autoritetet kosovare, të udhëhequra nga kryeministri Albin Kurti.

Deputetët e Listës Serbe, që nga nëntori i vitit 2022, nuk kanë marrë pjesë aktive në punën e Kuvendit të Kosovës, për shkak të, siç e kanë cilësuar, “politikës së bojkotit”.

Që atëhere, përfaqësuesit serbë kanë vendosur të largohen nga institucionet e Kosovës në veri, duke kundërshtuar kështu vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

Për të mos i humbur mandatet dhe pagat, deputetët serbë gjithsesi kanë shkuar në Kuvend çdo gjashtë muaj vetëm për të hedhur firmat qe nuk do ti linin ata pa rroge.

Gjithsesi ka një pikëpyetje për ata serb të Kosovës që janë zhvendosur dhe duan të votojnë me postë, por votat nga Serbia nuk mund të arrijnë drejtpërdrejt në Kosovë, sepse dy postat nuk bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Në vitet e kaluara, ka qenë Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që e ka ndihmuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë duke luajtur rolin e ndërmjetësit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!