Pavarësia e Kosovës/ Rama: Koha për President të unitetit kombëtar

schedule14:02 - 18 Shkurt, 2018

schedule 14:02 - 18 Shkurt, 2018

Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne me rastin e celebrimit të 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Në fjalimin e tij kryeministri Edi Rama parashikoi se pas 10 vitesh Shqipëria dhe Kosova mund të kenë 1 president të vetëm.

Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne për rastin e 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Seanca u hap me falenderimin e pjesëmarrësve nga vende mike të Kosovës dhe më pas intonimi i himinit kombëtar të Kosovës.

Për këtë event kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mbajti një fjalim. Duke përmendur dhe të arriturat në dekadën e parë, ai vendosi edhe prioritetet për 10-vjeçarin e ardhshëm.

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës: “Sfida e transformimit ekonomik të vendit është më e lehtë se çlirimi dhe ndërtimi i shtetit. Duhet të veprojmë për të krijuar kushtet e një ritmi tjetër, shumë më të shpejtë e përmbajtjesor të zhvillimit ekonomik. Dekada e dytë e pavarësisë, duhet të jetë dekada e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Kosovës”.

Një fjalim përshëndetës mbajti edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili bëri dhe një parashikim për dekadën e ardhshme.

Edi Rama: “Dialogu i vështirë me Serbinë do të jetë dhe ai histori. Dhe shqiptarët dhe serbët do të jetojnë në funksion të së ardhmes, si dy popuj me fqinjësi të mirë dhe pjesë e pandarë e BE-së. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një politikë të jashtme dhe jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo, një president të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafuturim, sot mund të mos jetë shumë i këshillueshëm në rrafshin e racionale, por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot, na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”.

Ndërkohë, në këtë seancë solemne morën pjesë shumë politikanë dhe qeveritarë e drejtues shtetesh të ndryshëm si dhe kori diplomatik ndërkombëtar në Prishtinë. Nga Shqipëria ishte presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetari i parlamentit, Gramoz Ruçi, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri, Sali Berisha./abcnews.al