Reportazhi i ABC News në Kosovë, shqiptarët kthehen dhe hapin kompani të tyre

schedule16:49 - 16 Shkurt, 2018

schedule 16:49 - 16 Shkurt, 2018

Kosova po shënon 10-vjetorin e pavarësisë. Është përballur me probleme politike dhe një valë refugjatësh për në vendet e Perëndimit. Megjithatë, një shqiptar nga Zvicra është kthyer për të investuar në Kosovë. Bonevet ka tani dy qendra dhe mëson fëmijët se si të ndërtojnë gjëra nga teknologjia e deri tek prodhimi printerëve 3D.

Kjo është fabrika e talenteve.

Buna Përteshoni, është 16 vjeç nga Gjakova. Ende nuk ka patentë shoferi, por ka punuar në ndërtimin e makinës së parë elektrike në Kosovë. Ka vendosur të tregoj se di. Kompania ka rregull 50 për qind femra ose asnjë.

Buna Përteshoni, nxënëse: “Viteve të fundit ka filluar të ndryshojë kjo lloj prespektive dhe pikëpamje për femrat. Më vjen mire, që njerëzit kanë filluar të senzibilizohen në njëfarë mënyre për të mos gjykuar dhe diskriminuar të drejtat e femrave”.

E gjithë ideja erdhi nga pensionisti nga Zvicra, Vllaznim Xhiha, origjina e të cilit është nga ky qytet. Xhiha ka shitur kompaninë e tij me qindra punëtorë në Zvicër dhe i është kthyer Kosovës. Në një shtet të ri, gjithçka nis nga talente.

Lufta rrënoi këtë qytet…tani çarshia e vjetër është rinovuar. Njerëzit si Xhiha kanë shpresë pasi secili fëmijë ka një talent.

Vllaznim Xhiha: “Unë një parim e kam që çdo njeri duhet me e dasht vendin e tij, mirëpo duhet me kontribu edhe në vendin e vet”.

Thuhej se mijëra shtëpi ishin në shitje në Gjakovë. Jeta aty tani duket ndryshe.

Made in Kosova. Gjashtë të rinj kanë ndërtuar gjithçka në pjesën e brendshme të kësaj makine.

Buna Përteshoni, nxënëse: “Njerëzit shkojnë edhe ikin prej Kosovës çdo ditë. Disa ikin me idenë për të mos u kthyer më, por unë besoj që Kosovës i duhemi më shumë, seç i duhemi Gjermanisë apo Zvicrës”./abcnews.al

Idro Seferi, gazetar i ABC News