Rama: Të gjithë drejt Durrësit, detyrat që duhen realizuar

schedule13:24 / 22/09/2019

Një ditë pas tërmetit që tronditi mbarë vendin, kryeministri Edi Rama ka mbledhur prefektët, të cilëve u ka kërkuar që gjithë vëmendjen ta përqendrojnë në Durrës. Rama u kërkoi pjesëmarrësve që të kontaktojnë të gjithë personat e prekur nga tërmeti, si dhe të bëjnë një vlerësim sa më të saktë të dëmeve.

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, prefektët por edhe përfaqësues të Forcave të Armatosura. Gjatë takimit, kryeministri Edi Rama u kërkoi prefektëve që të kontaktojnë çdo person të prekur nga tërmeti, si dhe identifikim dhe vlerësim të saktë të dëmeve.

“Çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe brenda ditës së sotme duhen kontaktuar të gjithë sy më sy. Do të angazhohen deputetët, do të angazhohen dhe ministrat. Stadiumi duhet të jetë i hapur dhe duhet të jetë i pajisur për mbrëmjen me të gjithë infrastrukturën akomoduese. Të identifikohen dëmet dhe të mos mbetet pa u asistuar asnjë që është dëmtuar, por të mos kemi flukse spekulantësh”, tha Rama.

Ndërsa ministrat Olta Xhaçka e Sandër Lleshaj folën për bilancin e dëmeve, sipas informacioneve të deritanishme si dhe për masat e marra për përballimin e situatës.  Prefektja e Tiranës Suzana Jahollari dhe Prefekti i Durrësit Roland Nasto, u shprehen se kanë ngritur shtabet e emergjencave për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari.

Tërmetet kanë goditur vendin tonë që prej pasdites së të shtunës, duke përhapur panik tek qytetarët. Ky tërmet, i pasuar edhe nga disa tërmete të tjera me intensitet më të ulët, cilësohet si më i fuqishmi në 40 vitet e fundit./ABC News Albania 24/7

schedule13:24 / 22/09/2019