Kryeministri Edi Rama nga Shkodra në aktivitetin e 35-vjetorit të PS-së, u shfaq para socialistëve i veshur me nje bluzë, me nje flamingo, duke iu përgjigjur për të disatën herë kritikave dhe protestave qytetare kundër projektit për Zvërnecin.
Në fjalën e tij, Rama tha qeveria nuk është “shkatërrimtare”, por ka luajtur rol kyç në mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit në vend.
Ai solli si shembuj rikthimin e disa specieve të mbrojtura dhe moratoriumin për pyjet, ndërsa kritikoi kundërshtarët e projekteve zhvillimore.
“Mbrojnë natyrën nga ju dhe nga unë. Ne nuk jemi shkatërrimtarët, ne jemi shpëtimtarët. Duket si një fjalë e madhe dhe e tepruar. Po të kishin gojë të flisnin flamengot që po i dalin për zot, do të tregonin historinë e hidhur se përse ata nuk dinin në Shqipërisë, sepse i priste pushka. Sikur pelikani kaçurrel të ngrihet dhe të tregojë historinë e tij, sot është një zog i mbrojtur, edhe ai ishte shënjestër. Ne sot kemi një popullsi dhe një faunë të ripërtërirë. Sikur të shihet Shqipëria nga lart, nga ato të atëhershmet dhe këto të tanishmet, kemi bërë 10 vite progres. Bëmë moratorium për të mbrojtur pyjet. Ne dalim shkatërrimtarët. Për të na vënë këtë akuzë duhet të na tregojnë se çfarë kemi shkatërruar ne.”
Rama një përgjigje e pati edhe për thirrjen e protestuesve “shqipëria e shqiptarëve, vdekja e tradhtarëve, duke thënë se Partia Socialiste nuk mund të akuzohet për tradhti. Ndërsa shtoi se interesi kombëtar është prioritet për partinë që ai drejton.
“Harrojnë krejtësisht se me kë kanë të bëjnë, kam parasysh veten time, qeverinë tonë, shumicën tonë qeverisëse, PS. Harrojnë që kanë të bëjnë me një forcë që mund ta kritikosh për shumëçka, por askush nuk mund të çohet dhe të tregojë gishtin, si forcë që ka tradhtuar interesin kombëtar. Interesi kombëtar ka qenë për PS, një pikë e lëvizshme referimi. Në këto ujëra, kalonin anijet, varkat, makinat e kontrabandës së naftës që furnizonte makinerinë vrastare të Sllobodan Millosheviçit. Kalonin me bekimin e atyre që ditën flisnin për lirinë e Kosovës, kundër diktaturës që po shkatërronte Jugosllavinë dhe natën furnizonin makinerinë që përdorej kundër atyre që donin të shpëtonin nga kthetrat e regjimit fashist në Beograd. Ata të tjerët e sulmonin UÇK, bënë çmos që ta sabotonin Rambujenë. Ja si historia përsëritet në forma të ndryshme. Që t’i thuash kësaj partie sot, dhe mua në krye të saj, çfarëdo qoftë në lidhje me tradhtinë, duhet të jesh i pafytyrë, pa atdhe.
Kryesocialisti tha se shumica e shqiptarëve është e vendosur për ta çuar deri në fund atë që e cilësoi si një mision historik, duke iu referuar anëtarësimin në BE.
“Shumica e shqiptarëve është shumë e qartë dhe e vendosur për ta çuar deri në fund këtë mision historik. Shumica sheh edhe atë që ata nuk duan ta shohin, atë që ne kemi bërë për Shqipërinë, për zonat tona rurale dhe flamurin tonë kombëtar.
Është kollaj të marrësh një flamur e ta lidhësh në qafë duke bërë patriotin, duke kënduar këngë, por nuk është aspak e lidhur me patriotizmin dhe frymën e atyre këngëve që ti t’i përdorësh për të sulmuar dhe të bësh çmos të hedhësh baltë ndaj atyre që nuk mendojnë si ti.”
Me autoironi, kryeministri Rama tha se arsyet për të protestuar janë të ndryshme, si ato të influencërave, të cilët sipas tij dalin në shesh për të rritur numrin e ndjekësave në rrjetet sociale./abcnews.al


