Fundjavën kryeministri Edi Rama zgjodhi ta kalojë në Korçë ku inspektoi investimin e kryer në bashkinë e qytetit dhe punimet që po kryhen për ndërtimin e një rruge të re në Maliq. Shefi i qeverisë përfitoi nga ky rast për t’i kthyer përgjigje edhe opozitës për protestën e 16 shkurtit në Tiranë.
Komenton për ndjekesit e tij në facebook, por mesazhin e ka për opozitën.
“Bashkia që duam nuk është një sllogan, po një model që na dallon qartë e më qartë, nga ata që na vonuan me dekada dhe që duan vetëm sherr e rrëmujë…E kanë kot, s’na ndal asgjë dot për të bërë dallimin e madh mes të ardhmes e të shkuarës”.
Me këtë mesazh kryeministri Edi Rama shoqëron videon përmes të cilës tregon ndërtesën e re të Bashkisë Korçë një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 144 milionë lekë.
“Është ultramoderne, por me shumë shije, me shumë harmoni, plus që ka shumë komoditet në shërbime, krijon një ndjenjë shumë pozitive.”
Tashmë Bashkia e Korçës ofron 63 shërbime në një godinë.
“Ideja këtu është që Bashkia të mos ketë barriera fizike ndërmjet punonjësve dhe qytetarëve që vijnë të marrim shërbime. Gjithçka është transparente. Sportelet, zyrat që kanë kontakte me qytetarët vendosen këtu dhe presin qytetarët për kërkesat që ata mund të kenë, ndërkohë që dhe pjesa tjetër e zyrave janë me xham, pra janë transparente dhe publiku, qytetarët shohin punonjësit e bashkisë për t’i vendosur në një lloj presioni pozitiv”.
Pas vizitës në qendër të qytetit të Korçës kryeministri u zhvendos në periferi. Inspektoi punimet që po kryehen për rikonstruksionin e rrugës që lidh Maliqin me Libonikun dhe Drithasin.
Ky investim parashikohet të ketë impakt të menjëhershme për zhvillimin e zonës pasi fermerët do të mund t’i nxjerrin me shpejt në treg produktet e tyre bujqësore. /abcnews.al



