Si bashkëorganizatore dhe finaliste, Shqipëria do të ketë mundësi verën e ardhshme të presë emrat më të mëdhenj të futbollit europian dhe të përballet me ta.
Shorti i “Euro 2027” për kombëtaret U21 e vendosi kombëtaren përballë Spanjës, Italisë dhe Finlandës. Një grup i vështirë, por I pritshëm, që premton sfida të forta dhe prestigj.
“E para, jam vërtet shumë i lumtur që jam sot në këtë short për Shqipërinë U-21 për herë të parë në një Kampionat Europian, pavarësisht se si vend organizator. Një event fantastik, i organizuar shumë mirë, që do t’i hapë rrugën edhe një organizimi shumë të mirë të Kampionatit Europian. I uroj të gjitha skuadrave që do të vijnë të luajnë në Shqipëri, i garantoj ata që do të gjejnë çdo gjë gati, çdo gjë të përshtatshme nga pikëpamja sportive, por do të shijojnë edhe mikpritjen shqiptare dhe do të jenë shumë të lumtur që ishin pjesë e këtij Europiani në Shqipëri.
Nga pikëpamja sportive, e kam thënë edhe para shortit që nuk mund të thuash se kë dëshiron, apo kush është skuadra më e mirë, sepse këtu janë 16 skuadra shumë të mira, nivel shumë i lartë sportiv, por jam shumë i lumtur që ne do të presim në Tiranë Spanjën, Italinë dhe Finlandën për t’u përballur me to. Padyshim që do të bëjmë më të mirën tonë. Ne kemi një ekip të mirë, një ekip kompakt, kemi një staf të mirë, një trajner të mirë dhe aq më shumë kemi tifozët tanë që do të na mbështesin dhe uroj që ta kalojmë grupin për të shkuar më lart. Gjithashtu edhe grupi tjetër D që do të vijë në Shqipëri, ka ekipe që vërtet tifozeria shqiptare ka dëshirë që t’i shohë në shkallët e stadiumit”, u shpreh Duka.
Nëse federata premton një turne model, detyra në fushë i takon kombëtares së drejtuar nga Alban Bushi. Trajneri i Shqipërisë U21 është besimplotë se skuadra do t’i përgjigjet nivelit të kundërshtarëve.
“E dinim që të gjitha ekipet janë të forta, të një niveli shumë të mirë teknik dhe fizik. Për sa i përket ekipeve që na ranë në short, si Spanja, Italia dhe Finlanda, kemi luajtur dy vitet e fundit. Ndaj Spanjës luajtëm para dy javësh dhe e njohim si kundërshtar, me Italinë kemi bërë miqësore para tre muajsh, kurse me Finlandën kemi qenë para dy vitesh në të njëjtin grup.
Mendoj që është një short i mirë, duke parë të gjitha ekipet që kanë shumë kualitet. Ne do të kemi ambiciet tona, do të jemi konkurrues në çdo ndeshje, sepse jo vetëm që kemi një ekip të fortë, por do të kemi edhe publikun. Të luash me 20 mijë shikues në “Arenën Kombëtare” kundër këtyre ekipeve është një favor shumë i madh. Shpresoj dhe mendoj që do të bëjmë shumë mirë, do të jemi dinjitozë për të përfaqësuar Shqipërinë sa më mirë.
Kemi edhe miqësoret e marsit, që besoj se do t’i bëjmë me ekipet e grupeve të tjera, jo të grupit tonë. Do të mundohemi që të gjejmë një kundërshtar që t’i përshtatet Spanjës, Italisë dhe Finlandës. Kemi dy miqësore, do të përgatitemi shumë mirë. Pastaj kemi edhe grumbullimin që do ta bëjmë dyjavor në muajin maj, për të qenë sa më kompetitivë në ndeshjen e parë, në datën 16 kundër Spanjës. Objektivi ynë është që ne të jemi konkurrues në çdo ndeshje për ta përfaqësuar sa më mirë vendin tonë”, – tha Alban Bushi.
Sipas kalendarit të përcaktuar, kombëtarja U21 e Shqipërisë do të nisë aventurën e saj në finalet e “Euro 2027” kundër Spanjës më 16 qershor në “Air Albania”. Në të njëjtin stadium do të luajë tre ditë më pas kundër Italisë dhe mbyll fazën e grupeve më 22 qershor kundër Finlandës në “Elbasan Arena”./abcnews.al



