Rama ftoi Bashën në tryezë, përgjigjet Paloka: Më parë të shkojnë në burg Dako e Bushi

schedule18:37 - 8 Dhjetor, 2019

schedule 18:37 - 8 Dhjetor, 2019

Edi Rama bëri një thirrje për Lulzim Bashën në Twitter për tu ulur në tryezë, por më pas e fshiu postimin. Gjithsesi, Edi Paloka nuk ka hezituar ti përgjigjet Kryeministrit në emër të Bashës dhe të PD-së. Ai shkruan në facebook se nuk është i nevojshëm një takim që do pasuronte albumin propagantistik të Edi Ramës. Po kaq, numri II i PD-së thotë se pikësëpari duhet të dalin përgjegjesit, duke përmedur emrin e Vangjush Dakos për ndërtimet në Durrës dhe emrin e Artur Bushit që nuk mori masa për pallatet e Thumanës.

Deklarata e plotë e Palokës

Në ditën e 13-të pas tërmetit, ajo që ju duhet shqiptarëve nuk është pasurimi i albumit fotografik propagandistik i Edi Ramës me Lulzim Bashën në një tryezë.

Ajo që kanë nevojë shqiptarët është një qeveri e përgjegjshme, një kryeministër që nuk e mbush ditën me shfaqje te shëmtuara me fatkeqët. Shqiptarëve nuk i duhet një kryeministër që shfrytëzon fatkeqësinë për të nxjerrë nga sirtari projektet me PPP korruptive për të pasuruar klientët e tij mbi gërmadhat e vdekjes.

Shqiptarët duan ndihmë për njerëzit në nevojë. Shqiptarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi para ligjit për fajtorët.

Po të triumfojë ligji mbi partinë, të parët që shkojnë në burg janë ata që lejuan banorët të futen në pallatet e Thumanës të çertifikuara të pabanueshme pas tërmetit të 21 shtatorit, nga Artur Bushi te qeveritarët e Tiranës.

Po të triumfojë ligji mbi partinë, Gjush Dako në vend që të ri-emërohet dhe të ngarkohet për zhdukjen e letrave live në ERTV, e të shoqërojë Ramën në Turqi, duhet të ishte në burg për masakrën urbane në Durrës, që është bërë me firmën e tij dhe me betonin e tij.

Edi Rama nuk mund ta mbulojë dështimin e tij me thirrje hipokrite. Ai duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme që çuan në viktima dhe vuajtje pa fund.

Pse emergjencat civile nuk kishin mjetet e duhura për të përballuar fatkeqësinë natyrore?
Pse i bëri lekët për paisje emergjencash, gaz helmues për popullin, dhe milionat për qen kërkimi, ushqim për babëzinë e qenveritarëve të korruptuar.
Pse nuk i heq 10 oligarkëve të tij 150 milionë dollarë të taksave të shqiptarëve që t’ua kalojë ato njerëzve në nevojë.

Shqiptarët tani ka nevojë për vepra dhe jo për llogje. Në vend të lotëve të krokodilit, shqiptarët kërkojnë siguri nga një qeveri që di dhe ka vullnet t’i zgjidhë problemet e tyre.

Deri tani në lartësinë e kërkesave të shqiptarëve është vetëm Lulzim Basha. Në këto 10 ditë, ai ka ofruar 2 plane për kapërcimin e shpejtë të fatkeqësisë: Planin e Emergjencës për banesat e dëmtuara dhe Planin për Rimëkëmbjen e Biznesit të prekur nga tërmeti.

Zgjidhjet e propozuara Edi Rama i ka mbi tryezë. Por si përherë atij nuk i intereson zgjidhja por shfaqja, nuk i interesojnë njerëzit por pushteti dhe paraja.

Lexo edhe:

“Është gabim i madh”/ I bëri thirrje Bashës, Rama fshin postimin në Twitter

Rama tjetër mesazh Bashës: Refuzimi i tryezës së përbashkët, gabim i madh