Rama bën gafën me videon nga Algjeria, reagon ambasadori spanjoll: Pamjet s’kanë të bëjnë me Spanjën

schedule23:50 - 21 Mars, 2020

schedule 23:50 - 21 Mars, 2020

Kryeministri Rama postoi të llogarinë e tij në Facebook një video ku tregonte se “çfarë i kishte gjetur spanjollët që nuk zbatonin rregullat e vendosura për të menaxhuar krizën e krijuar nga koronavirusi.

Bashkë me videon që thuhej të ishte bërë në Spanjë dhe tregonte trazira mes qytetarëve dhe autoriteteve  të pajisur me shkopa gome, Rama shkruante se po e postonte videon që ta shihnin të gjithë ata që do shkonin të bënin pazare “nga e hëna e deri në fund të luftës.”

Gjithsesi, rezultoi se videoja nuk ishte bërë në Spanjë por në Algjeri. Më pas kryeministri, me anë të një tjetër reagimi në Facebook, kërkoi falje për videon duke thënë se ia kishte dërguar një miku i tij nga Italia.

Ndaj videos, që “supozohej” të ishte filmuar në Spanjë, ka reaguar edhe ambasadori spanjoll në Shqipëri , Vicente Canelles.

Në reagimin e tij, Canelles shkruante:

“Megjithëse Ambasada e Spanjës është krejtësisht dakord me rekomandimet e Kryeministrit mbi nevojat e respektimit të masave kufizuese për të mirën e shëndetit të të gjithëve, më vjen shumë keq që janë shpërndarë disa imazhe që nuk kanë të bëjnë fare me Spanjën.” /abcnews.al/