Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare Juxhina Sotiri deklaroi se strategjia e presidentit amerikan Trump për një regjim më bashkëpunues në Iran rezultoi e gabuar, pasi sipas saj pushteti aktual është bërë më radikal dhe më rezistent.
Ajo theksoi se Irani nuk e ka forcën vetëm te uraniumi, por edhe te ndikimi strategjik në ngushticën e Hormuzit, që mban peng një pjesë të rëndësishme të tregut global të naftës. Sotiri shtoi se narrativat për paqen janë të paqarta si nga SHBA, ashtu edhe nga Irani, ndërsa çdo bllokadë ekonomike globale mund të sjellë efekt zinxhir në ekonominë botërore.
“Nëse do rikujtojmë retorikën e Trump, ishte për njohjen e regjimit të ri që do ishte më bashkëpunues. Ky ishte një llogaritje e gabuar, sepse tashmë ata që janë në pushtet janë edhe më radikalë dhe kanë rezistencë edhe më të fuqishme. Kjo për faktin që regjimi i ri, vetë pasja e uraniumit nuk është e vetmja armë e Iranit.
Hormuzi ishte një nga zbulimet më të rëndësishme të Iranit, leva që mbajti peng Perëndimin dhe kalueshmëria e një përqindjeje të lartë të naftës. Edhe këto diskutimet për paqen kanë një mjegullnajë në narrativën e tyre, SHBA sesi mund të poembysë mediat dhe nga ana e Iranit që ai është fitimtari. Një bllokadë në ekonominë botërore sjell një efekt zinxhir.” / abcnews.al /


