Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dënimin me burg përjetë të Denis Shtrazës. Sipas prokurorisë, Shtraza është një nga autorët e rrëmbimim me pasojë vdekjen e Gazmend Çollakut në janar të vitit 2016. Pretenca e prokurorisë u prit me qetësi nga i pandehuri, i cili në vijimësi ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën.
Denis Shtraza rrezikon të mbetet përjetë në qeli. Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi nga gjykata këtë masë dënimi, duke pretenduar fajësinë e tij në rrëmbimin me pasojë vdekjen e Gazmend Çollakut në 6 janar 2016 në Durrës. Çollaku u rrëmbye nga katër persona me uniforma policie në parkingun e një lokali pranë portit dhe u gjet të nesërmen e asaj dite i pajetë në anë të një rruge në zonën e Fushë-Krujës.
Gjatë leximit të pretencës, prokurori Besnik Muçi tha ngjarja ishte paraprirë nga një konflikt mes Shtrazës e Çollakut. Sipas një informacioni të Policisë së Durrësit në vitin në vitin 2013 Shtrazës i ishte bërë një atentat. Për këtë ngjarje ai fajësonte Gazmend Çollakun dhe se ishte shprehur se nuk do t’ia harronte sa të kishte jetë.
Përfaqësuesi i akuzës radhiti një sërë provash, që sipas tij provojnë fajësinë e të pandehurit Shtraza, mes të cilave akt-ekspertime ADN-je dhe pamje filmike nga rrëmbimi i Çollakut.
Përveç Shtrazës, për rrëmbimin e Çollakut u dërgua si i pandehuri edhe Ervin Dalipaj. Çështja ndaj tij u pushua pas eliminimit në një atentat mafioz në prill 2017 pranë Sukthit.
Kërkesa për burgim të përjetshëm u prit me qetësi nga i pandehuri Shtraza. Ai shfaqi shqetësim vetëm në momentin kur prokurori, shqiptoi emrin e një mikeshës së tij. Bëhet fjalë për një dëshmitare, që është pyetur me dyer të mbyllura në proces, me pretendimin e të pandehurit se zbulimi i identitetit do t’i rrezikonte asaj jetën.
Denis Shtraza në vijimësi ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzën./abcnews.al
https://youtu.be/_CRSbifgHn4