Strukturat e Policisë së Tiranës kanë intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e mjeteve që dyshohet se mund të jenë përfituar nga veprimtaria kriminale, si dhe parandalimin e trafikimit të tyre.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore, kanë kontrolluar dhjetëra automjete luksoze në kryeqytet.
Kontrollet janë kryer nëpërmjet një aparature të posaçme, e cila mundëson kontrollin dhe verifikimin e të dhënave identifikuese të automjetit. Pas verifikimit në sistem, për automjetet e evidentuara janë kryer kontrolle të mëtejshme lidhur me pronësinë, origjinën dhe historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të tyre.
Gjithashtu, janë kryer verifikime mbi burimin e të ardhurave me të cilat janë blerë automjetet, me qëllim evidentimin e rasteve kur pasuria mund të jetë përfituar nga veprimtaria kriminale, si dhe identifikimin e mjeteve që mund të jenë objekt i trafikimit të paligjshëm.
Në përfundim të verifikimeve, materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë, për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

