Irani kërkon të përshkallëzojë luftën, ndërsa Shtetet e Bashkuara presin përgjigje nga Teherani mbi një draft paqeje që iu është dorëzuar. Sipas ushtrisë amerikane, forcat iraniane lëshuan raketa, dronë dhe mjete të vogla detare ndaj tre anijeve luftarake amerikane në Gjirin Persik, në atë që Komanda Qendrore Amerikane (Centcom) e cilësoi si një “sulm të paprovokuar”.
Përmes një postimi në Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se tre bombarduesit amerikanë kaluan të padëmtuar Ngushticën e Hormuzit dhe se ishin anijet iraniane ato që u fundosën.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë vijoi të insistonte se armëpushimi mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vijon të jetë në fuqi, pavarësisht përplasjes së re ushtarake në Ngushticën e Hormuzit, ku të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për nisjen e sulmeve.
Komanda e lartë ushtarake iraniane pretendoi se përplasjet ushtarake nisën pasi forcat amerikane kishin sulmuar një cisternë iraniane nafte dhe një tjetër anije pranë Ngushticës së Hormuzit, si edhe kishin kryer sulme ajrore ndaj disa zonave bregdetare. Teherani deklaroi se iu përgjigj menjëherë duke goditur anije ushtarake amerikane dhe duke pretenduar se kishin shkaktuar “dëme të konsiderueshme”.
Tensionet e fundit vijnë vetëm një ditë pasi Ministria e Jashtme iraniane kishte njoftuar se po shqyrtonte një propozim amerikan për t’i dhënë fund luftës. Sipas mediave amerikane, Shtëpia e Bardhë besohet se po punon për një memorandum mirëkuptimi me 14 pika, që do të hapte rrugën për negociata më të detajuara mbi programin bërthamor iranian.
Megjithatë, një zyrtar i lartë i parlamentit iranian e quajti planin amerikan thjesht një “listë dëshirash”, duke paralajmëruar se Irani “e ka gishtin në këmbëz” dhe do të japë një përgjigje të ashpër nëse SHBA-ja nuk pranon kushtet e Teheranit.
Ndërkohë, Pakistani po përpiqet të ndërmjetësojë për ta kthyer armëpushimin aktual në një marrëveshje të përhershme paqeje.
Pavarësisht deklaratave të Trump se konflikti “do të përfundojë shpejt”, përplasjet e fundit tregojnë se armëpushimi mbetet shumë i brishtë dhe se rreziku i një përshkallëzimi të ri ushtarak në rajon vazhdon të jetë i lartë.


