Përmbytja e tokave, 8 eskavatorë për të thelluar kanalet e Tërbufit

schedule15:15 - 5 Shkurt, 2019

schedule 15:15 - 5 Shkurt, 2019

Për të shpëtuar tokat nga përmbytja për shkak se janë nën nivelin e detit në Tërbuf të Divjakës po punohet për thellimin e sistemit kullues. Bashkia premton se tetë eskavatorët e vënë në punë do të përfundojnë investimin në muajin Qershor.

Përmbytja e tokave në Tërbuf është një fenomen i harruar. Të gjitha sipërfaqet bujqësore kanë sistemin kullues më të mirë në Shqipëri. Pastrimi i qindra kilometrave kanale po kryhet nga 8 eskavatorë, të cilët që prej fillimit të këtij viti dhe deri në Qershor do të jenë në dispozicion të punës. Si pjesë e Njësisë Administrative Divjakë, këto toka edhe pse janë nën nivelin e detit i kanë shpëtuar përmbytjeve prej një viti.

“Me këtë pastrim kanali tokat e Tërbufit nuk do të kenë më përmbytje”.

“Me pastrimin e këtij kanali çdo gjë përfundon, ka zgjidhje të plotë”.

Pastrimi nga mbeturinat dhe thellimi i kanaleve të dyta, do të shoqërohet me krijimin e një infrastrukture të re. Për kreun e Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi një eksperiencë e tille po zbatohet për zonën e Grabjanit, ku terreni ngjitur me kanalet do të kthehet në një trotuar të gjelbërt, i shoqëruar me mbjelljen e dhjetërave pemëve dekorative.

“Vetë njësitë janë ndërtuar brenda hapësirave të tokave dhe ne mendojmë që paralel t’i vijmë në ndihmë qyetarëve edhe në kullimin e tokave, por edhe në kushtet optimale që ata pas orarit të punës të ndihen qytetarë si gjithë të tjerët”, tha ai.

Puna po kryhet me ritme të shpejta dhe volumi është i madh si në rrjetin e kanaleve të dyta ashtu edhe në kanalet e treta. Rreth 600 hektarë sipërfaqe bujqësore në këto zona janë futur në sistemin kullues aktiv pas 28 vitesh. Pastrimi i tyre ka disiplinuar ndotjen e ujërave, të cilat nga zona e Tërbufit, derdhen në rezervuarin e Biçukasit dhe më pas në detin Adriatik./abcnews.al