Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Pas kontakteve me përfaqësues të Hamas në Egjipt/ Kushner takohet me Netanyahun, Gaza në fokus

schedule11:14 - 17 Gusht, 2026

schedule 11:14 - 17 Gusht, 2026

Jared Kushner pritet të takohet të hënën, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në kuadër të përpjekjeve të reja të administratës së Donald Trump për të zhbllokuar zbatimin e planit amerikan për Rripin e Gazës.

Takimi vjen një ditë pas kontakteve të Kushnerit me përfaqësues të Hamasit në Egjipt, ku në qendër të diskutimeve ishte kalimi në fazën e dytë të planit, veçanërisht çarmatimi i Hamasit dhe tërheqja graduale e forcave izraelite nga Gaza.

Këto dy çështje mbeten ndër pengesat kryesore për zbatimin e marrëveshjes. Hamasi ka deklaruar se është i gatshëm të avancojë drejt fazës së dytë, ndërsa Netanyahu ka insistuar se Izraeli nuk do të tërheqë trupat e tij përpara se Hamasi të çarmatoset.



Gjatë bisedimeve në Egjipt, Kushner raportohet se i ka kërkuar Hamasit të ndërmarrë hapa konkretë dhe të verifikueshëm drejt çarmatimit. Ai ka theksuar gjithashtu se Gaza nuk mund të përdoret sërish si bazë për sulme ndaj Izraelit dhe se Hamasi nuk duhet të ketë rol në qeverisjen e ardhshme të enklavës.

Në kuadër të diskutimeve për administrimin e Gazës pas luftës, Hamasi kishte njoftuar në korrik synimin për të shpërbërë qeverinë e tij në territor dhe për t’ia transferuar kompetencat një Këshilli Kombëtar Qeverisës të përbërë nga teknikë palestinezë. Ky mekanizëm pritet të menaxhojë çështjet e përditshme gjatë një periudhe tranzitore.

Në Egjipt, përveç Kushnerit dhe përfaqësuesve të Hamasit, morën pjesë edhe ndërmjetësues nga Egjipti, Katari dhe Turqia, si dhe Nickolay Mladenov, përfaqësuesi i lartë për Gazën në të ashtuquajturin “Këshill të Paqes”. Kushner zhvilloi gjithashtu një takim me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, ndërsa lideri i Hamasit Khalil al-Hayya zhvilloi bisedime me zyrtarë egjiptianë.

Kontakti i drejtpërdrejtë mes zyrtarëve amerikanë dhe Hamasit është i pazakontë, pasi SHBA e klasifikon Hamasin si organizatë terroriste. Megjithatë, administrata Trump po përdor kanale të drejtpërdrejta komunikimi në përpjekje për të çuar përpara planin për Gazën.

Ndërkohë, situata në terren mbetet e brishtë. Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025. Të dielën u raportuan persona të plagosur nga sulmet izraelite pranë Nuseirat, në Gazën qendrore, si dhe nga zjarri ndaj një zone me tenda të personave të zhvendosur pranë Khan Yunisit.

Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur dy anëtarë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez në këto zona. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 1,262 palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, ndërsa Izraeli ka raportuar humbjen e pesë ushtarëve dhe një kontraktori civil gjatë së njëjtës periudhë.

Pikërisht vazhdimi i dhunës në terren, së bashku me mosmarrëveshjen mbi rendin e çarmatimit të Hamasit dhe tërheqjes izraelite, mbetet një nga sfidat kryesore për administratën Trump në përpjekjen për të kaluar planin e Gazës në fazën e dytë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!