“PAMECA V”, Vlahutin: Luftoni krimin dhe dënoni organizatorët

schedule15:31 - 14 Shkurt, 2018

schedule 15:31 - 14 Shkurt, 2018

Për ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, duhet të ketë prova të qarta, hetime praktike, procedime dhe dënime të grupeve kriminale që operojnë në Shqipëri.

Shefja e delegacionit të BE në vendin tonë Romana Vlahutin ka theksuar se duhet të ketë prova të qarta, dhe dënime të grupeve kriminale çështje kjo që duhet të përcaktohen ende si urgjente. Gjatë fjalës së saj në konferencën për nisjen e programit europian PAMECA V në mbështetje të policisë, Vlahutin bëri të qarta se duhet të bëhen hetime të thella për të goditur elementët e botës së krimit.

Romana Vlahutin, Ambasadore e Bashkimit Europian: “Në 2017 ne kemi parë për herë të parë një rënie drastike të prodhimit të kanabisit, por ne presim raportin e Guardia di Finanza në verën që vjen, në mënyrë që të sigurohemi që fitorja të jetë afatgjatë. Ne gjithashtu kemi parë një numër operacionesh të suksesshme policore në Shkodër, Fier, Lezhë dhe qytete të tjera që kanë goditur grupet kriminale. Ne po shohim më në fund më shumë vendosmëri në konfiskimin e aseteve kriminale. Në këto përpjekje është thelbësore puna e prokurorisë. Dhe ne të gjithë presim për rezultate më efiçente të hetimit të krimit.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, vlerësoi rolin e rëndësishëm që PAMECA ka luajtur me asistencën e saj në hartimin e dokumentit të përsa i përket operacionit “Forca e Ligjit”.

Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm: “Puna që është bërë për përgatitjen e bazës ligjore dhe operacionale, pa të cilën do të kishte qenë e pamundur nisja e Operacionit “Forca e Ligjit”, është edhe kontribut i një asistence të nisur që më herët, nga grupi i partnerëve ndërkombëtarë. PAMECA natyrisht ka qenë pjesë aktive e çdo tryeze konsultimesh, teksa kemi vlerësuar dhe reflektuar komentet mjaft të vlefshme të saj të dërguara në nëntor 2017, mbi draft-planin e veprimit. Vlerësoj gjithashtu kontributin e ekspertit të PAMECA-s pranë Task Forcës Speciale lidhur me përgatitjen e bankës së pyetjeve të nevojshme, lidhur me procesin e rekrutimit të ekspertëve të Task Forcës Speciale” – tha ministri Xhafaj.

Ndërkohë Drejtori i Marrëdhënieve Juridike  në Prokurorinë e Përgjithshme, Arqile Koça pohoi se prioritet mbetet rikthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet ligjzbatuese.

Arqile Koca, Drejtor i Marrëdhënieve Juridike me Autoritetet e Huaja:  “Përtej angazhimit të vazhdueshëm të gjithë bashkë kemi konstatuar se institucionet ligjzbatuese kanë nevojë për përmirësimin e kapaciteteve njerëzore, ashtu edhe ato në lidhje me infrastrukturën dhe teknologjinë, për t’iu përgjigjur me efikasitet dhe pa kompromis luftës kundër grupeve kriminale dhe trafiqeve ndërkombëtare. Institucioni i Prokurorisë shpreh vullnetin dhe angazhimin maksimal në përmbushje të objektivave të punës tuaj, pasi ne jemi të bindur se ato konvergojnë me objektivat tona” – tha Koça.

Në fund Ambasadori Italian në Tiranë Alberto Cutillo theksoi se policia ka arritje në luftën ndaj krimit të organizuar krahasuar me vitet e kaluara./abcnews.al