Pakot-bombë nuk ndalen

schedule22:02 - 26 October, 2018

schedule22:02 - 26 October, 2018

Dërgimi i pakove bombë në adresë të kritikëve të presidentit Donald Trump ka vazhduar edhe të premten. Disa orë para arrestimit të të dyshuarit, autoritetet amerikane gjetën dy pako të dyshimta dërguar një senatori demokrat dhe ish-shefit të shërbimeve të inteligjencës. Ky i fundit i ka quajtur incidentet “terrorizëm të brendshëm”.

Ditën e premte autoritetet amerikane gjetën dy pako të tjera të dyshimta, pas atyre dërguar ish-presidentit Obama dhe ish-sekretares së Shtetit, Hillari Klinton. Këtë herë, pakot-bombë ishin dërguar në adresë të senatorit demokrat Kori Buker dhe ish-shefit të Shërbimit kombëtar të inteligjencës, Xhejms Kleper.

Ky i fundit, duke reaguar për CNN, deklaroi se incidentet janë pa dyshim raste të terrorizmit të brendshëm, që po vë në shënjestër kritikët e presidentit Donald Trump.

“Por këto pako nuk do t’i heshtin zërat e tyre”, tha Kleper, i cili u bëri thirrje kritikëve në fjalë që të tregohen vigjilentë dhe të kujdesshëm. Pakoja për senatorin Buker u zbulua në një zyrë postare në Florida, ndërsa ajo për Kleper në zyrën homologe në Nju Jork, përmes një procesi skanimi rutinë.

Në të dyja rastet, objektet u morën nën kontroll nga specialistët e policisë, të cilët deklaruan se pajisjet shpërthyese të gjetura në pako, përfshirë ato të ditëve të mëparshme, ishin të të njëjtit lloj.

Hetues të cituar nga CNN deklaruan se bëhet fjalë për bomba-tub, të cilat ishin funksionale por të paqëndrueshme, që do të thotë se mund të shpërthenin edhe nga tronditja më e vogël. Bombat ishin të pajisura edhe me kohëmatës, i blerë sipas hetuesve në dyqane.

Por ekspertë të tjerë hodhën dyshime mbi kapacitetet e pakove. Komisioneri i policisë së Nju Jorkut, Xhejms O Neill nuk konfirmoi nëse ato mund të shpërthenin, por tha se objektet po trajtohen si “pajisje të dyshuara eksplozive”./abcnews.al