Pagat e pedagogëve/Replika Nikolla-Vokshi

schedule16:23 - 10 Shkurt, 2018

schedule 16:23 - 10 Shkurt, 2018

Pagat e pedagogëve kanë përplasur në distancë kryetaren e komisionit parlamentar të Arsimit Albana Vokshi me ministren e Arsimit Lindita Nikolla. Vokshi e akuzoi ministren për shpërdorim detyre, ndërsa Nikolla tha se shkak për vonesën e krijuar është ligji për arsimin e lartë. 

 

Nuk kanë marrë pagat, por ndjesë publike nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. Pagesat e pedagogëve dhe stafit të universiteteve sipas ministres janë vonuar për shkak të ligjit të arsimit të lartë dhe autonomies financiare të universiteteve.

 

“Unë do të përfitoj nga rasti të kërkoj një ndjesë të madhe publike të gjithë pedagogëve dhe pedagogeve, por dhe administratës së universiteteve publike për vonesën e pagës së tyre, për t’iu thënë që nuk është as më shumë e as më pak, por pikërisht edhe nevoja që qeveria dhe institucionet qeverisëse të bëjnë maksimalisht detyrat e tyre të shtëpisë, sepse është një axhustim i nevojshëm që vjen përmes ligjit të ri të arsimit të lartë që ofron më shumë autonomi financiare për universitetet duke vendosur që çdo buxhet që mbetet në fund të vitit të trashëgohet në vitin pasardhës buxhetor. E ndërkohë ishte dhe një ushtrim, pa larguar asnjë lloj përgjegjësie nga vetja, edhe një ushtrim në vëmendje të administratorëve që besoj që nuk ishin në lartësinë e detyrës në mënyrë që t’i përgjigjeshin me zhdërvjelltësi këtij momenti të rëndësishëm që lidhet me gjithë administrimin e financave dhe gjithë linjës administrative në institucionet tona të arsimit të lartë”,

Kryetarja e komisionit parlamentar të Arsimit Abana Vokshi e quajti hipokrite ndjesën me ministres së Arsimit, ndërsa tha se ajo ka shpërdoruar detyrën.

 

“Ajo lau duart si Ponc Pilati dhe nuk pranoi se ajo është përgjegjësja dhe shkaktarja kryesore e kësaj situate që fakton se ligji i arsimit të lartë ka dështuar.

 

I gjithë sistemi i arsimit të lartë publik është paralizuar prej mungesës së akteve nënligjore, të cilat duhet të ishin miratuar që në prill të 2016. Ky është shpërdorim i qartë i detyrës nga Ministrja e Arsimit, e cila me mosveprimin e saj është subjekt i nenit 248 të Kodit penal për shpërdorim detyre, sepse në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka dëmtuar interesat e ligjshme të 15 mijë shtetasve.

 

Por nuk është vetëm kaq. Synimi është për të nënshtruar këdo që mund të cënojë pushtetin e tij. Edi Rama po shkatërron të gjithë sistemin arsimor, po përpiqet të vërë nën kontroll artistët, të pengojë të rinjtë të arsimohen, të shkatërrojë trashëgiminë kulturore. Pra të mbajë të nënshtruar elitën dhe rininë.”

 

 

Kryetarja e komisionit parlamentar të Arsimit deklaroi se në seancë paralamentare të së enjtes i ka kërkuar ministres Nikolla raportim urgjent për këtë problem, por ministja e Arsimit nuk u paraqit në seancë.