Në një intervistë në “News Line” në ABC News, analisti Artur Nura analizoi edhe përplasje mes magjistratëve dhe kryeministrit Edi Rama që duket se ka një ulje të tonëve nga të dy palët.
Ai theksoi rëndësinë e komunikimit mes palëve dhe të përgjegjësisë morale për të forcuar besimin e publikut te institucionet.
Sipas Nuras, si reagimet e magjistratëve, ashtu edhe përgjigjja e kryeministrit tregojnë një tërheqje të ekuilibruar, e cila mund të krijojë hapësirë për dialog.
“Shoh që ka tërheqje të ekuilibruar nga të dyja palët. Unë kështu lexova edhe tërheqjen e magjistratëve, por edhe përgjigjen që dha kryeministri. Pastaj palët duhet të komunikojnë dhe të ketë përgjegjësi edhe morale gjithashtu e palëve, për të ndërtuar një autoritet më të fortë te publiku. Unë besoj që ka një komunikim civil mes palëve për të dalë në konkluzionin e duhur”, tha mes të tjerash Nura.
Gjithashtu ai komentoi edhe konferencën ndërqeveritare, ku u dhanë edhe sinjale pozitive nga Europa, duke vlerësuar edhe mesazhet që u dhanë në këtë takim.
Nura nënvizoi se u duk qartë që Brukseli do integrimin e Shqipërisë në BE.
Ndërsa nënvizoi se edhe kryeministri Rama përforcoi qëndrimin e tij se Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
/abcnews.al/


