Opozita i përgjigjet Gjiknurit: Në dialog politik nuk veprohet me teorinë e faktit të kryer, reflektoni!

schedule22:37 - 23 Korrik, 2020

schedule 22:37 - 23 Korrik, 2020

Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili i kanë kthyer përgjigje bashkanëtarit të tryezës së Këshillit Politik, Damian Gjiknurit në lidhje me email-in e dërguar më herët nga ky i fundit.

Opozita e bashkuar ripërsërit se “në dialog politik, nuk mund të veprohet me teorinë e faktit të kryer” ndërsa shton se këshillon miqësisht që PS të reflektojë “për këtë qëndrim të paprecedentë.”

Lexo edhe: Opozita kërkoi mbledhje nesër në 17:00, reagon Gjiknuri: Na vini në dispozicion propozimet tuaja

Ne i qëndrojmë strikt marrëveshjeve politike që kemi nënshkruar, thuhet më tej në reagim, ndërsa shtohet se “ndryshimet kushtetuese për çështjet e zgjedhjeve duhet të bëhen gjithmonë në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur.”

“Ato nuk mund të na serviren si fakt i kryer, ndërkohë që ne po ju kërkojmë të diskutojmë bashkërisht për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet…Ne nuk kemi refuzuar dialogun as dje, as sot dhe as kurrë. Siç ju e dini, kishim konfirmuar që jemi në pamundësi për të qenë në mbledhje dje dhe kërkuam që mbledhja të zhvillohet sot. Por edhe mbledhjen ju e bëtë fakt të kryer,” thuhet më tej në përgjigje.

Më tej Bylykbashi dhe Vasili thonë se ata do të jemi nesër në mbledhjen e Këshillit Politik për të diskutuar “për çdo çështje që ju mendoni se duhet të trajtohet në kuadër të Reformës Zgjedhore.”

Reagimi:

Z.Gjiknuri,

Po ju përsërisim se në dialog politik, nuk mund të veprohet me teorinë e faktit të kryer! Është gabim dhe miqësisht vlerësoni mundësinë për të reflektuar për këtë qëndrim të paprecedentë.

Edhe në email tuaj ju e beni ndryshimin kushtetues fakt të kryer dhe na ftoni të dialogojmë sesi do ta detajojmë në ligjin ekektoral.

Këtë fakt nuk pranoi Opozita në mbledhje dhe nuk mund ta pranojmë, sepse ne i qëndrojmë strikt marrëveshjeve politike që kemi nënshkruar, dhe se ndryshimet kushtetuese për çështjet e zgjedhjeve duhet të bëhen gjithmonë në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur. Ato nuk mund të na serviren si fakt i kryer, ndërkohë që ne po ju kërkojmë të diskutojmë bashkërisht për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet.

Teorinë e faktit të kryer ju e aplikoni edhe në email tuaj të fundit. Po ju citoj:

  1. “Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama ju ftoi të jepni kontributin tuaj në funksion të përshtatjes së ligjit elektoral me nismën për hapjen e listave zgjedhore, nismë tashmë e miratuar”;
  2. “Z.Rama ju ftoi që dakordësohemi për sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral për të reflektuar sanksionimin e hapjes së listave zgjedhore.”.
  3. “shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave.”. [Kjo është e pavërtetë sepse nuk kemi thënë këtë në email tonë]
  4. “ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues.”
  5. “në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat.”.

Ne nuk kemi refuzuar dialogun as dje, as sot dhe as kurrë. Siç ju e dini, kishim konfirmuar që jemi në pamundësi për të qenë në mbledhje dje dhe kërkuam që mbledhja të zhvillohet sot. Por edhe mbledhjen ju e bëtë fakt të kryer.

Unë dhe kolegu Vasili do të jemi nesër në mbledhjen e Këshillit Politik për të diskutuar për çdo çështje që ju mendoni se duhet të trajtohet në kuadër të Reformës Zgjedhore.

Mirëpresim pa asnjë paragjykim të na parashtroni qëllimin e iniciativës së njëanshme që keni ndërmarrë dhe që na e keni vënë në dispozicion vetëm në mbledhjen e datës 20 Korrik, pra vetëm 3 ditë më parë!!! Mbi këtë jemi të gatshëm të diskutojmë pa asnjë shtrëngim kohor, sepse Kushtetuta e Shqipërisë nuk mund të trajtohet si rregullore kooperative që shqyrtohet, diskutohet e miratohet për 3 ditë!!! Aq më tepër ku ajo prek zgjedhjet, ku çdo aktor zgjedhor dhe parti politike duhet të ketë zërin dhe mendimin e tij, në një proces gjithpërfshirës, të sinqertë dhe të hapur.

Shihemi neser! Ju përshëndesim!

Oerd Bylykbashi

Petrit Vasili /abcnews.al/