Pasi u njoftuan se Partia Socialiste nuk do i pranojë ndryshimin në Kodin Zgjedhor, Partia Demokratike është kthyer me këmbë në tokë për propozimin e saj që do i hapte rrugë emigrantëve pa dokumente identifikimi shqiptare të votonin.
Fillimisht, nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi akuzoi mazhorancën se prej dëshirës së saj elektorale, nuk i shkon për shtat ky propozim.
“Është tashmë publike qëndrimi i PS për ti mohuar të drejtën e votës qindra mijë shqiptarëve që kanë një document jobiometrik, i pavlefshëm tashmë, por kanë një mjet identifikimi të vlefshëm në shtetin ku jetojnë. Absurde thotë z.Gjiknuri, sigurisht që është absurde të mendojë PS që të cclirojë votën tek të gjithë. Maska e Edi Ramës ka rënë, Edi Rama nuk që të votojnë të gjithë shqiptarët, nuk e do votën e diasporës.”
Por vetë Bylykbashi, me gjasë hartuesi i këtij propozimi, pranon se sistemi aktual i regjistrimit të votuesve nga jashtë, PER, nuk e realizon dot ketë proces teknikisht. Fajin kësaj radhe, ai ia hodhi ligjit, Edhe pse me paqartësi se si mund të kryhet, ngulmon se po i njëjti sistem mund ta realizojë diçka të tillë.
“Pretendimi i KQZ që kjo nuk mund të bëhet nga sistemi PER, nuk është e pavërtetë, por po të gjej një mënyrë me delikate për ta thënë, është pjesërisht e vërtetë. Nuk iu ka thënë faktin, se arsyeja pse sistemi PER nuk mund ta bëjë këtë është kufizimi ligjor, është i tillë, nuk mund të votoshsot nëse nuk ke një document të vlefshëm të Republikës së Shqipërisë.Nëse ligji do thoshte, një document të vlefshëm, të çfarëdoshteti, zgjidhja teknike është e menjëhershme e gatshme. “
Një hap pas ka bërë selia blu, edhe për votuesit të cilët nuk janë më shtetas shqiptarë, pasi e kanë dorëzuar atë. Bylykbashi tha se nuk janë të interesuar për identifikimin e votuesve të cilët nuk kanë më shtetësi shqiptare.
“Parimisht pyetja është për ata që nuk lejojnë dyshtetësinë, nëse ata kanë lënë shtetësinë shqipatre, me dekret të Presidnetit, ky dekret është regjistruarnë Gjendjen Civile, emri i tyre nuk është në listën e zgjedhësve, ata nuk janë zgjedhës në Shqipëri, nuk kanë të drejtë të votojnë apo të zgjidhen, pra nuk është problem ky.”
Skenari për të hedhur në erë votën e diasporës, e cila teknikisht me propozimin e demokratëve do të ishte e pamundur, për shkak të sistemit PER por dhe kohës së limituar, mesa duket ka rënë, megjithatë verdikti merret vetëm në parlament, ku ndonjëherë qëndrimet e palëve ndryshojnë shpejt./abcnews.al