Donald Trump ka refuzuar të thotë nëse armëpushimi i SHBA-së me Iranin mbetet në fuqi, pasi të dyja palët pretenduan se kanë qëlluar në Ngushticën e Hormuzit të hënën.
Duke u shfaqur në emisionin “The Hugh Hewitt Show”, presidentit amerikan iu bë pyetja nëse pauza e armiqësive kishte “mbaruar” dhe nëse sulmet do të rifillonin, shkruan Sky News.
Trump u përgjigj duke thënë: “Epo, këtë nuk mund t’jua them.”
Ai shtoi: “Nëse do t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje, do të thoshit se ky njeri nuk është mjaftueshëm i zgjuar për t’u bërë president.”
Shtetet e Bashkuara e kanë hedhur poshtë një pretendim të Iranit se forcat iraniane e goditën një luftanije amerikane që po përpiqej të hynte në Ngushticën e Hormuzit, si dhe kanë nisur përpjekje të reja për ta rikthyer qarkullimin e anijeve tregtare në këtë rrugë jetike detare.
Mes armëpushimit të brishtë amerikan, Irani i lëshoi katër raketa përtej Gjirit Persik drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, njoftoi ushtria e këtij vendi më 4 maj.
Sistemet e mbrojtjes ajrore arritën t’i rrëzojnë tri prej këtyre raketave, ndërsa e katërta ra në det.
Më shumë se dy muaj pasi forcat amerikane dhe izraelite filluan sulmet ndaj Iranit, Ngushtica e Hormuzit vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të kërcënimeve të Teheranit, gjë që ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të energjisë dhe ka tronditur ekonominë globale.


