Në pranga për vepra të ndryshme penale, policia jep detajet për arrestimet në Tiranë

schedule11:36 - 27 Shkurt, 2021

schedule 11:36 - 27 Shkurt, 2021

Forcat e Posaçme “Shigjetat” kanë arrestuar 21-vjeçarin A.I, banues në Tiranë për shpërndarje të lëndëve narkotike, ndërsa gjatë kontrollit në banesë i është gjetur edhe një sasi lëndë e dyshuar për kanabis.

Gjithashtu sipas policisë në pranga kanë rënë edhe 9 persona për vepra të ndryshme penale, ndërsa dy  të tjera janë shpallur në kërkim kombëtar.

“Plagosje me dashje”, Dhunë në familje”, “Vjedhja”, “Përndjekje”,  janë kryesisht veprat penale për të cilët janë arrestuar autorët.

 

Informacion i plotë: Goditet nga Forca e Posaçme “Shigjetat” një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, vihet në pranga 1 shtetas.

Bien në pranga edhe 9 shtetas të tjerë,  për vepra të ndryshme penale, dy prej tyre të shpallur në kërkim kombëtar.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe në zbatim të planit të masave për kontrollin e gjithë territorit, Forca e Posaçme “Shigjetat” në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit :

A. I., 21 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë të dyshuar kanabis, një pjesë e të cilës ishte e ndarë në doza, gati për shitje.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjesisë penale, nga sherbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. H., 39 vjeç,  i shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, pasi me datë 25.02.2021, pas një konflikti ka goditur me grushta shtetasin B. B.

Ndërkohë, nga sherbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit N. P.,  52 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit G. H., 44 vjeç, sepse në kundërshtim me vendimin e gjykates, ka shkelur urdhërin e mbrojtjes, dhe ka përndjekur në menyrë të përsëritur një shtetase.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.5, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve :

M. D., 39 vjeç, pasi për motive të dobëta ka kanosur në anë të një thike shtetasin Dh. D.

G. V., 63 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” pasi ditën e djeshme gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) djalin e tij shtetasin G. V., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve :

P. Rr., 43 vjeç, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Abedin Rexha”, ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasen Gj. K ;

A. T., 28 vjeç, pasi ditën e djeshme, në rrugën dytësore të autostradës “Tiranë-Durrës”, është përplasur me mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin R. K. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar shtetasi  R. K.,  i cili pas disa orësh, ka humbur jetën në spital.

A. M., 35 vjeç, pasi është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin pa lejen përkatese dhe në gjendje të dehur ;

E. M., 38 vjeç, pasi është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur 0.58 mg/l.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/