Kryeministri Edi Rama deklaroi se ka publikuar një analizë të realizuar nga një startup shqiptar që përdor inteligjencën artificiale për të vlerësuar qëndrimet mediatike ndaj politikës në Shqipëri.
Sipas tij, analiza përfshin media tradicionale dhe online, duke kategorizuar përmbajtjet sipas qëndrimit ndaj qeverisë dhe opozitës.
Rama tha se rezultatet tregojnë se rreth 60% e kohës televizive në vend mbulohet me qëndrime kritike ndaj qeverisë, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes analizave neutrale dhe atyre pro qeverisë. Sipas tij, edhe mediat online shfaqin një prirje të ngjashme.
Ai e cilësoi këtë pasqyrë si një tregues të qartë se në Shqipëri nuk ka media të kapura, por përkundrazi një hapësirë mediatike të lirë ku dominon kritika ndaj qeverisë.
“Kjo tregon se nuk jemi në një vend me media të kontrolluara apo të mbyllura,” u shpreh ai, duke shtuar se liria e medias lejon një debat të gjerë publik.
Edi Rama theksoi gjithashtu se, sipas tij, qytetarët janë në gjendje të bëjnë dallimin mes atyre që “punojnë dhe përpiqen çdo ditë” dhe atyre që kritikojnë nga pozitat e opozitës, të cilën ai e përshkroi si të munguar në vizion dhe program.
Në fund, kryeministri u shpreh se mbetet kurioz për vijimin e analizave të ngjashme të bazuara në inteligjencë artificiale, të cilat sipas tij janë një mjet i paanshëm për të kuptuar realitetin mediatik në vend.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama;
“Këtë javë postova një analizë të bërë nga një startup djemsh të talentuar shqiptarë me inteligjencën artificiale për të grumbulluar dhe vlerësuar kahjen e qëndrimeve mediatike e artikujve dhe vlerësimeve, komenteve në median tradicionale dhe në median online në raport me politikën dhe e postova sepse ishte një pasqyrë që mua personalisht nuk më surprizon pasi unë dhe ne e dimë shumë mirë realitetin faktik të raportit mes medias dhe qeverisë dhe shumicës qeverisëse që nuk është gjëkundi realiteti i pretenduar nga ulëritësit që nuk dinë ç’të bëjnë tjetër me lirinë e medias, përveçse të ankohen për mungesën e lirisë, por që ishte një pasqyrë sipas meje e vlefshme për t’u ndarë me shumëkënd që do të informohet, me shumëkënd që është i interesuar për fakt dhe me shumëkënd që në të gjitha rastet nuk e humb respektin për faktet dhe nuk hyn në luftë me faktet se kur faktet provojnë një opinion të ndryshëm nga i tij apo i saj, dhe në këtë pasqyrë rezulton qartësisht se nga gjithë tërësia e produkteve të medias në raport me politikën 60% e kohës televizive në Shqipëri në total e merr opozita në kuptimin e qëndrimit anti qeverisë, një pjesë tjetër, analiza faktike e nxjerrë si të balancuar dhe një pjesë shumë të vogël si pro qeverisë.
Ndërkohë që po e njëjta situatë pak a shumë është dhe në median online, pra në portalet të cilat anojnë qartësisht nga fronti nga kampi, nga fusha e atyre që janë kundër qeverisë dhe për këtë mua sinqerisht më vjen mirë pasi bëhet e qartë që këtu nuk jemi në një vend mediash të kapura, këtu nuk jemi në një vend ku mbyllen gojët e atyre që flasin, komentojnë, argumentojnë, shkruajnë kundër qeverisë, po këtu jemi në një vend që si rrallëkund tjetër dominon pikërisht e kundërta e atij dominimi që i karakterizon vendet me media të kapura ose me media që i shërbejnë regjimeve ose autokracive elektorale.
Kështu që thënë të gjitha këto unë kam një teori shumë të thjeshtë edhe për arsyen pse çdo përpjekje për të kapur mediat është një përpjekje që nuk të çon në fitoren e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve dhe nga ana tjetër patjetër që duke i lënë të lirë të gjithë thonë ato që duan, njerëzit e kanë pastaj më të thjeshtë që të bëjnë dallimin mes atyre që bëjnë punët, atyre që përpiqen çdo ditë, atyre që edhe rrëzohen, por rrëzohen në një përpjekje për të ecur përpara dhe atyre që shtriqen nëpër kolltuk dhe ulërijnë nëpër gardhet e pakapërcyeshme të vetëvendosura nga mungesa e vizionit, nga mungesa e programit, mungesa e lidershipit, mungesa e shumëçkaje tjetër që karakterizon sot atë kamp në tërësi dhe nuk flasim vetëm për një parti, flasim për tërësinë.
Kështu që ky është një shënim që e zgjodha për të mbyllur këto shënime të javës duke qenë shumë kurioz për të parë vazhdimin e analizave të bëra nga një program tërësisht i paakuzueshëm për anësi dhe i vendosur mbi forcën e inteligjencës artificiale.



