Pak pas ofertës që kryeministri Albin Kurti ia bëri PDK-së për votimin në lexim të dytë të Projektligjit për Specialen, në këmbim të votave të kësaj partie për kandidatin e tyre për presidenti, Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin, PDK mban një konferencë për media.
Në një deklaratë për mediat Bedri Hamza iu përgjigj Albin Kurtit duke thënë se nuk duhet të përdorë UÇK, ndërsa theksoi se po tregon standarde të dyfishta.
“Kjo temë po tentohet me u shndërru në pazare të minutave të fundit. Ju kam thënë dhe po e përsëris. Çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë që i takon vetëm PDK-së. Po flasim për historinë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj teme është si ta përdorim ligjin për shantazh dhe për të mbërritur qëllimin politik. Qëllimi politik është që me pasë një president politik dhe me e përmbyllë njëqind për qind kapjen e institucioneve. Unë kam qenë në takim, po e shihni se sa shpesh ka ndryshime të qëndrimeve politike” tha Hamza.


