Një ekspozitë kushtuar Wolfgang Amadeus Mozartit në Salzburg është mbyllur para kohe, pasi 210 skulptura të vogla të kompozitorit të famshëm u vodhën nga kopshti Mirabell. Ekspozita e artistit gjerman Otmar Hörl përfshinte rreth 320 skulptura të praruara të Mozartit, të vendosura në disa zona të qytetit. Në kopshtin Mirabell ishin ekspozuar 230 prej tyre, por vetëm 20 kanë mbetur pas vjedhjes.
“Gjëja më e keqe për një artist është kur puna e tij zhduket”, deklaroi Hörl, i cili shprehu shqetësim edhe për mungesën e respektit ndaj veprës së tij. Skulpturat, rreth 50 centimetra të larta, ishin vendosur në mesin e korrikut në kopshtin e frekuentuar nga turistët, me rastin e 270-vjetorit të lindjes së Mozartit.
Artisti nuk beson se statujat janë marrë nga turistët, por dyshon për një veprim të organizuar. “Kjo është një vjedhje e organizuar”, tha Hörl, sipas të cilit figurat mund të jenë marrë gjatë natës, kur kopshti Mirabell është i mbyllur. Secila skulpturë ishte planifikuar të shitej për 90 euro pas përfundimit të ekspozitës. Dëmi i shkaktuar vlerësohet në rreth 20 mijë euro. Zëvendësimi i menjëhershëm i statujave nuk ishte i mundur, pasi prodhuesi i tyre ndodhet aktualisht me pushime kolektive. Për këtë arsye, ekspozita është ndërprerë përpara afatit të parashikuar.


