Më shumë se 13 mijë islandezë kanë hedhur votat e parakohshme në një referendum nëse vendi duhet të rifillojë negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, njoftuan sot mediat lokale.
Rreth 13.187 vota të hershme ishin hedhur që nga mbrëmja e së enjtes, përfshirë 8.524 në rajonin e kryeqytetit, sipas transmetuesit publik RUV.
Islanda ka 272.690 votues të regjistruar, që do të thotë se pak më shumë se 4.8 për qind e elektoratit ka marrë pjesë që nga fillimi i votimit të hershëm më 27 korrik.
“Kam ndjenjën se ky është një proporcion mjaft i lartë”, tha Astridur Johannesdottir, drejtore menaxhuese e Komisionit Kombëtar Zgjedhor të Islandës.
“Por, sigurisht që është e vështirë të krahasohet kjo me zgjedhjet e mëparshme, si për shkak se periudha e votimit të parakohshëm është pak më e gjatë se zakonisht, normalisht është 29 ditë dhe sepse ndoshta nuk kemi referendum tjetër të fundit për ta krahasuar atë”, shtoi ajo.
Në qarkun e kryeqytetit, 6.3 për qind e votuesve me të drejtë vote kanë hedhur votën e tyre.
Reykjavik ka 95.691 votues të regjistruar ndërsa zona elektorale jugperëndimore, që mbulon komunat e tjera në rajonin e kryeqytetit ka 39.626 votues.
Qytetarët islandezë të moshës 18-vjeç e lart, të cilët kanë vendbanim të ligjshëm në vend, kanë të drejtë të votojnë. Qytetarët që jetojnë jashtë në përgjithësi ruajnë të drejtat e tyre të votës për 16 vjet pasi kanë lëvizur vendbanimin e tyre ligjor nga Islanda. Shtetasit e huaj nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në referendum.


