Në një intervistë të zhvilluar në emisionin “Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë” në ABC News, Giovanni Lattanzi ndau detaje të rëndësishme mbi angazhimin e tij të hershëm dhe të vazhdueshëm me Shqipërinë, si dhe mbi procesin kompleks të arritjes së marrëveshjes së pensioneve mes dy vendeve.
Në bashkëbisedim me gazetarin Artur Nura, ai theksoi se puna për këtë marrëveshje ka qenë rezultat i një bashkëpunimi të gjatë institucional dhe joformal, ku një rol kyç ka luajtur edhe ish-senatori italian Tommaso Nannicini.
Lattanzi nënvizoi rëndësinë e koordinimit mes aktorëve dhe sigurimit të burimeve financiare si faktorë vendimtarë për finalizimin e marrëveshjes, e cila synon të garantojë të drejtat e pensionit për qytetarët shqiptarë dhe italianë që kanë punuar në të dy vendet.
Giovanni Lattanzi: Përveç faktit se Tiranën e kam shumë për zemër, e frekuentoj qysh nga viti 1999, në kohën e krizës në Kosovë. Po së fundmi kam qenë shumë herë sepse me senatorin Nannicini kemi punuar për marrëveshjen e pensioneve Itali-Shqipëri
Artur Nura: Atëherë, unë ju kam parë gjatë kësaj kohe me ish-senatorin Nannicini. Nuk ke ardhur vetëm një herë. Mund të tregosh për teleshikuesit tanë gjithë atë punë të madhe që keni bërë
Giovanni Lattanzi: Ashtu, kemi ardhur shumë herë. Unë besoj se puna duhet bërë në nivel formal e joformal. Kur dikush projekton nga zero një takim, mundohet të përfshijë të gjithë aktorët pjesëmarrës më parë e kështu në takim shkohet më i qetë, më i qartë e përmbyllen më shpejt marrëveshjet. E pikërisht ky ishte objektivi ynë, objektivi që të përmbyllet marrëveshja në afate sa më të shkurtra, sepse qytetarët shqiptarë, por edhe qytetarët italianë që punojnë në Shqipëri kishin e kanë të drejtë të kenë një pension e t’u njihet gjithçka që kanë bërë.
Artur Nura: Jam plotësisht i të njëjtit mendim. Më kujtohet se nuk ka qenë diçka e lehtë. Më kujtohet se në fillim duhej të arrihej marrëveshja në nivel teknik. Tek ne ndryshoi pushteti politik dhe dihet se Nannicini i ka ndjekur të gjitha ato komisione për të propozuar edhe buxhetin që duhej, nëse nuk gaboj
Giovanni Lattanzi: Qëllimi ishte pikërisht marrëveshja teknike. Marrëveshja teknike ishte e rëndësishme, por në disa raste kur unë drejtoja pyetjen për qeverinë, pra përfaqësuesve të dikastereve të ndryshme: “Përse nuk po mbyllet kjo marrëveshje? Kemi kohë që po merremi me të? Unë kam njohur dy ministra të punës, në periudha të ndryshme të Shqipërisë, por çfarë po ndodh?” Problemi qëndron gjithmonë tek burimet. Marrëveshja bëhej, marrëveshja është bërë, por nuk gjendeshin burimet.
Artur Nura: Me burime do kuptojmë faturën financiare
Giovanni Lattanzi: Po, pjesa e buxhetit që do të përdorej për pensionet. Është një buxhet që për pensionet, sipas ligjit italian të buxhetit, mbulohet për 10 vjet e më pas rinovohet sipas nevojës. Pra, tema qendrore ishte fakti që nuk kishte burime. Çfarë bëmë unë e Tommaso, arsyetuam e thamë se duhet të gjejmë burimet. Në ligjin e buxhetit duhet parashikuar një fond që do të shkonte për finalizimin e marrëveshjes së pensioneve e në këtë pikë nuk kishte më justifikime e mund të themi se marrëveshja bëhej e mbyllej brenda pak kohe. Burimet i gjetëm, duhej vetëm të zbatonim normat që ishin aprovuar e kështu gjithçka quhej e përfunduar.
Artur Nura: Më kujtohet se keni nënshkruar një marrëveshje këtu në Tiranë me institucione. Më kujtohet se keni nënshkruar një marrëveshje teknike këtu në Tiranë. Nannicini, pas një takimi me kryeministrin Rama, ku ishit ju, Geri Ballo nënshkruat me INPS-in tuaj, nëse nuk gaboj, dhe me Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë, ISSH
Giovanni Lattanzi: ISSH në shqip. Pasi u gjetën burimet e u parashikuan në buxhet, gjithçka ishte më e lehtë. Ministri Andrea Orlando caktoi një delegacion që do të negocionte marrëveshjen teknike për pensionet. Në këtë delegacion bënte pjesë Tommaso, isha unë, Geri ishte një mbështetje e fortë sepse ishte ajo që na nxiti; kur ne ndaleshim, ajo ishte si një sponsor për situatën. Pasi u caktua delegacioni, duhej vetëm të niseshim për në Tiranë. Por përpara se të organizohej tryeza, bashkë me Tommaso e Gerin vendosëm të takonim përfaqësues të të gjitha atyre institucioneve që më pas do të uleshin në atë tryezë. Donim të kuptonim se ku mund të kishte probleme e të mundoheshim t’i kapërcenim ato përpara se të uleshim të gjithë në atë tryezë, në mënyrë që të arrinim të përmbyllnim marrëveshjen në një kohë sa më të shkurtër.
Artur Nura: Marrëveshja u mbyll; më pas ishte marrëveshja Rama-Meloni, e pastaj marrëveshja u votua në parlament e në senat. Ju ishit atje.
Giovanni Lattanzi: Kur u bë marrëveshja, ishte një pjesë e saj e ndryshme nga ajo aktuale. Marrëveshja ishte mbyllur. Marrëveshja e përfunduar ishte ajo që realisht u aprovua nga Rama e Meloni. Kjo marrëveshje mund të mbyllej shumë më shpejt, por ndryshoi qeveria, erdhi një qeveri tjetër e cila ra dakord që të punohej e të mbyllej marrëveshja. Marrëveshja u mbyll nga qeveria Meloni e qeveria Rama, por burimet ishin gjetur nga qeveria e mëparshme. Ishte dhe senatori Nannicini…
Artur Nura: Unë e dija këtë e jo rastësisht ju pyeta, ishit atje kur u votua, konkretisht e respektuan punën tuaj
Giovanni Lattanzi: Puna që ne bëmë u respektua plotësisht, marrëveshja që u votua nuk iu ndryshua as edhe një presje. U bënë rregullime në disa shifra, por vërtet po flasim për gjëra të vogla. Praktikisht, e gjithë puna që ishte bërë u aprovua ashtu siç ishte. Ne nuk ishim më, por vazhduam ta ndiqnim gjatë gjithë rrugëtimit sepse ishim të bindur se duhej çuar përpara; ne ishim të vetëdijshëm për atë që po ndodhte e ndiqnim ditë pas dite. Ne kërkuam transparencë, qartësi e mundësi për ta aprovuar përfundimisht këtë marrëveshje.


