Një incident i rëndë ka tronditur qytetin Galați të Rumanisë, pasi një dron rus goditi një ndërtesë banimi, duke shkaktuar zjarr dhe plagosjen e dy personave.
Ngjarja ka rikthyer debatet mbi sigurinë dhe reagimin e NATO-s ndaj kërcënimeve që vijnë nga konflikti Rusi-Ukrainë. I ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, analisti Artur Nura u shpreh se aleanca duhej të kishte qenë më e përgatitur dhe më e vendosur në mbrojtje. Sipas tij, NATO nuk duhet të kishte lejuar që droni të depërtonte deri në një objekt civil, ndërsa solli si shembull reagimin e Turqisë ndaj incidenteve të ngjashme.
Nura theksoi se Rusia po jep sinjale të qarta force, por një konflikt i hapur nuk i intereson as vetë presidentit Vladimir Putin, pasi do të sillte pasoja të rënda ekonomike dhe sanksione të reja. Ai kërkoi një qasje më të fortë dhe më të vendosur ndaj Moskës, si nga Bashkimi Europian, ashtu edhe nga NATO.
“Qasja është me maturi. NATO nuk duhet të priste për të forcuar trupat e mbrojtjes, por duhet t’i kishte forcuar. Nuk duhet të lejonte që droni të shkonte deri tek ndërtesa civile. Nuk duhet lejuar. Rasti i Turqisë është domethënës, goditet agresori.
Unë mendoj që Rusia ia bën të qartë që me atë shtet je në luftë. Me incidente të tilla duhet të jetë rasti i Turqisë, ai është më domethënës. Mund të jetë edhe një incident, por edhe i menduar mirë.
Konfliktin e hapur as vetë Putin nuk e do, do kemi sanksione të tjera ekonomike, që padyshim do të dëmtojë ekonominë. Duhet një qasje akoma më e vendosur ndaj Rusisë, nga BE, por edhe nga vetë NATO”, tha Nura.


