Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Shëngjin, ku humbën jetën dy të rinj nga Kosova.
Përmes një mesazhi publik, kreu i shtetit shprehu ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroi shërim të shpejtë për tre personat e tjerë të lënduar në këtë ngjarje.
“Me hidhërim të thellë mësova për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve nga Kosova sot në Shëngjin. Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroj shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre”, shkroi Begaj.
Presidenti theksoi se kjo tragjedi duhet të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e respektimit të masave të sigurisë në plazhe.
Ai u bëri thirrje institucioneve qendrore dhe vendore, si edhe operatorëve turistikë, që të marrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë gjatë sezonit veror.
Sipas Begajt, forcimi i masave të sigurisë është i domosdoshëm për të parandaluar ngjarje të ngjashme dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe vizitorëve në zonat bregdetare të vendit.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!