Marçela Shehu kalon Vettingun, dritë jeshile edhe për Anila Lekën

schedule10:37 - 4 Qershor, 2018

schedule 10:37 - 4 Qershor, 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Kurbinit, Marcela Shehu, anëtare për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Drejt konfirmimit në detyre duket se ndodhet edhe prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Anila Leka. Hetimi i thelluar i KPK-së nuk kishte zbuluar asnjë problem tek pasuria, figura, apo aftësitë e saj.

Marçela Shehu, gjyqtare në Gjykatën e Kurbinit, kaloi me sukses procesin e Vettingut.

Vendimi që konfirmoi në detyrë gjyqtaren Shehu, kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor, u shpall nga një trupë e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Olsi Komicin dhe anëtar Lulëzim Hamitajn.

Bazuar nga raportet e përcjella nga institucionet e përfshira filtrimin e gjyqtarëve e prokurorëve, mbi pasurinë, figurën e aftësitë profesionale, si edhe nga hetimi i thelluar i bërë nga vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u mbërrit në përfundimin se gjyqtarja Shehu ishte e përshtatshme për të qëndruar në detyrë.

Gjatë seancës dëgjimore të saj të zhvilluar të premten u relatua se ajo kishte pjesë pasujrie në një banesë në Tiranë, një automjet “Mercedes Benz” me vlerë 6 mijë euro, një llogari bankare prej 1.3 milionë lekë dhe dy llogari kursimi për fëmijët në shuma nga 100 mijë lekë.

Jashte sallës gjyqtarja u prit me një buqetë me lule nga i biri.

Katër orë pasi vendosi mbajtjen në sistem të Marçela Shehut, para një tjetër turpi gjykues të Komisionit doli për seancën dëgjimore Anila Leka, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokurorja që u vetua me përparësi për shkak të kandidimit të saj për Këshillin e Lartë të Prokurorisë duket se do të rikonfirmohet në detyrë.

Kjo për shkak se pasuria e saj rezultonte e justifikuar në burime të ligjshme. Kjo pasuri përbëhej nga një apartament në Tiranë dhe një në Golem, me vlera përkatësisht 34 mijë euro  3 milionë lekë, bono thesari në në vlerën e 3.5 milionë lekëve si edhe një gjendje cash prer 11 mijë e 500 euro. Shuma në 7500 dhe 9000 dollarë zotëronin edhe prindërit e saj, para të siguruar në kursime dhe nga dëmshpërblimi si i nënës së saj si ish e përndjekur.

Sipas Komisionit, prokurorja Leka, e cila kërkoi konfirmim në detyrë,  nuk kishte kontakte me persona të inkriminuar dhe kishte aftësitë e duhura profesionale. Vendimi përfundimtar do të shpallet në 6 Qershor.

Ndërkohë të martën KPK pritet të zhvillojë seancat dëgjimore për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Edmon Islamaj dhe prokurorin e Krimeve të Rënda, Dritan Prençi./abcnews.al