Seancë dëgjimore, gjyqtarja Marcela Shehu para KPK-së

schedule10:40 - 1 Qershor, 2018

schedule 10:40 - 1 Qershor, 2018

Gjyqtarja e Kurbinit Marçela Shehu doli të premten para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Pasuria e saj rezultonte e justifikuar dhe po ashtu hetimi nuk kishte gjetur probleme as në dy kriteret e tjera të vlerësimit.

Gjyqtarja e Kurbinit, Marçela Shehu, qëndroi më pak se 20 minuta para një trupe të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Brenda këtij minutazhi u zhvillua të premtën gjithë seanca dëgjimore për llogari të procesit të vettingut, që duket se do të finalizohet me konfirmimin e saj në detyrë.

Relatori Olsi Komici tha se rivlersimi i gjyqtares Shehu ishte bazuar në kriterin e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale.  Në raportin e përcjellë në KPK Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, theksonte se gjyqtarja e Kurbinit nuk kishte pasuri të pajustifikuar në të ardhura të ligjshme.

Sipas relatorit Komici, hetimi i Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte konstatuar se gjyqtarja kishte pjesë pasurie në një banesë 100 metërkatrorë në Tiranë, në proces legalizimi, në një automjet “Mercedes benz” me vlerë 6 mijë euro. Emri i saj figuronte edhe në një llogari bankare prej 1.3 milionë lekë dhe dy llogari kursimi për fëmijët e mitur në shuma nga 100 mijë lekë.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar jepte “ok” për vijimin e ushtrimit të detyrës nga Shehu, pasi ajo nuk kishte kontakte me persona të papërshtatshëm. I tillë ishte vlerësimi i KLD-së, pas konfimrimit të aftësive të saj profesionale. Vetë gjyqtarja Marçela Shehu nuk pati asnjë kundërshti mbi hetimin e kryer.

“Jam dakord me rezultate. Kërkoj përfundimisht konfirmimin tim në detyrë”, tha ajo para trupit gjykues.

Vendimi përfundimtar ndaj saj pritet të jepet në 4 Qershor./abcnews.al