Kryeministri Edi Rama, ka ndarë një lajm të cilin e cilësoi si një arritje të rëndësishme për trashëgiminë natyrore të vendit, duke njoftuar se Liqeni i Shkodrës është përfshirë nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi këtë zhvillim si rezultat të punës diplomatike dhe përkushtimit për mbrojtjen e pasurive natyrore të Shqipërisë.
“Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë e një tjetër lajmi të bukur për Shqipërinë e Gjelbër dhe trashëgiminë tonë natyrore, futjen e Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës, rezultat i punës sonë diplomatike po edhe i kujdesit me përgjegjësi për këtë pasuri shqiptare që i shtohet thesareve të botës së mbrojtur nga UNESCO, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Përfshirja e Liqenit të Shkodrës në këtë rrjet ndërkombëtar konsiderohet një hap i rëndësishëm për promovimin dhe mbrojtjen e biodiversitetit, si dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës, e cila përfaqëson një nga ekosistemet më të rëndësishme në rajon.


