Këtë të diel në Kosovë mbahen zgjedhjet lokale.
Më shumë se 2 milionë qytetarë me të drejtë vote i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët dhe anëtarët e 38 komunave të vendit. Numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.
Të gjitha qendrat e votimeve janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00. Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje është 93, nga të cilat 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Ndërkohë në Drenas ka pasur të shtëna me armë zjarri, ndërsa autoritetet kanë mohuar qe incidenti të ketë lidhje me zgjedhjet. Ngjarja ndodh në një periudhë tensioni të brendshëm në PDK. Në garën për kryetar të komunës janë dy figura që lidhen me këtë parti, kandidati zyrtar i PDK dhe Ramiz Lladrovci, i cili megjithëse pretendon se është pjesë e PDK, kandidon si i pavarur pasi partia nuk e ka pranuar zyrtarisht. Lladrovci synon të sigurojë mandatin e tij të katërt në krye të Drenasit.
Zgjedhjet po zhvillohen edhe në komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të cilat për më shumë se dy vjet kanë qenë nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë.
Ndërkohë nga qendra e Mitrovicës së Veriut, qytetarët së bashku me zyrtarë të Listës Serbe – kanë shkuar ne grup për të votuar. Lista Serbe u priu qytetarëve serbë drejt qendrave të votimit, në shkollën teknike në Veri të Mitrovicës. Kjo parti, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka udhëhequr Mitrovicën e Veriut dhe tri komunat e tjera me shumicë serbe në veri deri në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit e saj janë larguar nga institucionet e Kosovës.
Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se ka marrë masa që të mos përsëriten problemet e 9 shkurtit, kur platforma e publikimit të rezultateve ka pasur pengesa të vazhdueshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani hodhi votën e saj, teksa theksoi se sa më e madhe të jetë pjesëmarrja, aq më e fortë është demokracia.
/abcnews.al/



