Kritikat e Vatës: Bashkia ka dështuar, Vllaznisë i mungon një drejtues si i Laçit

schedule14:38 - 16 Qershor, 2020

schedule 14:38 - 16 Qershor, 2020

Të gjithë tifozët e Vllaznisë janë lodhur me menaxhimin skandaloz të skuadrës së tyre të zemrës dhe shpresojnë që një president të vihet në krye të klubit. Bashkia e Shkodrës ka dështuar dhe skuadra noton prej vitesh në ujëra të turbullta.

Rudi Vata ka luajtur me skuadrën e qytetit të tij, teksa ka provuar ta drejtojë edhe si trajner. Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, nuk i ka kursyer kritikat për Bashkinë e qytetit më të madh verior në Rubrikën Sportive.

51-vjeçari bën një krahasim me Laçin, një tjetër skuadër veriore që funksionin mirë falë personit që ka në krye dhe prej vitesh arrin rezultate pozitive. Alban Xhaferri, presidenti i ekipit të basketbollit të Vllaznisë, po tenton të marrë drejtimin e ekipit të futbollit dhe Vata ka një mesazh për të.

Vllaznia ka shumë persona, më shumë se Laçi, por nuk ka një drejtues si Laçi për të qenë e niveleve të larta. Ajo është menaxhuar keq dhe fajtori kryesor është Bashkia e Shkodrës. Të gjithë ata që ka punësuar për të menaxhuar Vllazninë kanë qenë persona, edhe në aspektin intelektual, edhe të menaxhimit, edhe të integritetit, që nuk kanë qenë si duhet për të përfaqësuar Shkodrën.

 

Bardhezinjtë duke festuar një gol kundër Vllaznisë

Vllaznia ka stadium, futbollistë nga akademia, por ka shumë pak njerëz që punojnë për Shkodrën brenda saj. Sa më shumë që të përdoret politikisht, aq më shumë do të ketë probleme. Kur të kalojë në dorën e një personi me një vizion të qartë për Vllazninë, atëherë do të ketë sukses.

Çfarë e pengon Alban Xhaferin të prezantojë platformën e vet hapur?! Njerëzit në Shkodër duan të dëgjojnë fjalë të vërteta e jo premtime boshe. Shkodra është mbushur me mashtrime. Morën trajner që bëri punë të mirë, shfaqi pretendime, theksoi gjithmonë që ka probleme në të gjitha aspektet.

Nuk e mbështetën, e lanë vetëm dhe ai u largua. Për një qytet si Shkodra, i huaji që vjen largohet pastaj me mendime e përshtypje të këqija. Ky është produkt i njerëzve që marrin vendime dhe sipas meje i kanë marrë vendimet e gabuara e të qëllimshme“, thekson Rudi Vata. /abcnews.al