Kreu i ri i Hipotekave, prezantohet Artan Lame

schedule10:27 - 6 Prill, 2019

schedule 10:27 - 6 Prill, 2019

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka prezantuar sot drejtorin e ri të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lamen. Në një deklarate të përbashkët në ceremoninë e prezantimit, Braçe ka qenë i prerë në apelin e tij për krerët e agjencive ligjzbatuese, bashkitë, por edhe për qytetarët e interesuar në marrjen e shërbimeve duke theksuar se do të marrin shërbimin dhe mos paguani asgjë që nesër mund t’u kthehet në vepër penale.

U tha e pas dy vitesh u bë. Kjo është  Agjencia Shtetërore e Kadastrës Bashkimi i dy institucioneve në një, të ALUIZNI-t dhe Zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme të cilën do ta drejtojë Artan Lame. Prezantimin e bëri numri dy i qeverisë duke I kujtuar drejtorit Lame sa shumë punë e pret përpara.

“Kemi rreth 220,000 familje qe jetojne në fshat me AMTP të paregjistruara, pra afërsisht gjysmën e tokës së punueshme në fshat.

Kemi ende rreth 20,000 familje që nuk janë pajisur me AMTP.

Kemi ende rreth 10% të banesave të para vitit 1991, ende të paregjistruara.

Kemi ende rreth 160,000 prona (96% e totalit) që ju kanë kaluar njësive vendore dhe që janë ende të paregjistruara”.

Kemi ende rreth 10% të territorit të vendit, ku ende nuk ka filluar procesi i regjistrimit fillestar.

Barra është e jashtëzakonshme, por rrugë tjetër për të mbyllur tre dekadat e kaosit pronësor, nuk ka. Zgjidhja e çështjes së pronësisë, vazhdon të mbetet thembra e Akilit për kohezionin ekonomik dhe social të vendit”.

Që kjo agjenci të arrijë qëllimin final, zëvendëskryeministri paralajmëron se do ta ndjekë personalisht duke mos i kursyer thirrjet edhe ndaj qytetarëve.

“Dua të bëj apel edhe për agjencitë e tjera, apel edhe banorëve, kërkoni shërbim, mos paguani asgjë që nesër mund tu kthehet në të kundërt, vepër penale. Bëj apel edhe për nëpunësit edhe për ata që mendojnë se mund ta blejnë shërbimin mes parave, do ta luftojmë korrupsionin”.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të jetë institucioni përgjegjës për administrimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, si dhe për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Qytetarët do të marrin shërbim brenda një kohe më të shkurtër si dhe do të ulet barra burokratike e dokumenteve që kërkohen nga institucionet shtetërore.