Kosovë, Analistët: “Do të ketë garë të fortë në balotazh në komunat e mëdha”

schedule22:09 - 8 Nëntor, 2017

schedule 22:09 - 8 Nëntor, 2017

Analistët në Kosovë thonë se do të ketë garë të fortë në komunat e mëdha në balotazhin e zgjedhjeve lokale. Sipas tyre, Prishtina do të përcaktojë suksesin e LDK-së apo rënien e Vetëvendosjes.
Më 19 nëntor, pritet që në 19 komuna të Kosovës do të zhvillohet balotazhi për zgjedhjet lokale. Gara më interesante, sipas analistëve politikë, pritet të zhvillohet në komunat më të mëdha, si Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Ferizaj e Prizreni. Analisti Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë, se rikonfimimi në Prishtinë është i rëndësishëm për Lëvizjen Vetëvendosje pasi ky qytet konsiderohet bastion. Ndërkaq, për Lidhjen Demokratike të Kosovës do të ishte suksesi më i madh i zgjedhjeve nëse ia del që të fitojë Prishtinën.
Sipas analistit, në raundin e dytë fitorja në Mitrovicë, Ferizaj dhe Prizren do të ishte jetike për PDK që ka pësuar humbje në vota. Por njëkohësisht Mitrovica është jetike edhe për AKR-në, për shkak se është komuna e vetme në të cilën ka gjasa që ta mbajë pushtetin. Ndërsa AAK e konsideron me shumë rëndësi rikthimin në Gjakovë.
Kurse, politologu Ramush Tahiri për Radio Evropa e Lirë thotë se sfida e Prishtinës do të përcaktojë nëse Vetëvendosje do të ruajë rezultatin e mirë që mori në zgjedhjet parlamentare të qershorit apo do të vazhdojë rënien e lirë. Kurse një fitore e LDK-së, u jep shtysë atyre që të mendojnë për zgjedhje të parakohëshme parlamentare dhe për rrëzimin e qeverisë.
Ndërkohë, në rrethin e dytë të zgjedhjeve LDK garon në 12 komuna, PDK në 9, Vetëvendosje në 6 komuna, AAK në 5 komuna , kurse AKR, Nisma për Kosovën dhe Alternativa në nga 1 komunë./abcnews.al