Komisioni i Ekonomisë i hap rrugë negociatave për aeroportin e Vlorës

schedule13:58 - 30 Janar, 2018

schedule 13:58 - 30 Janar, 2018

Kuvendi pritet të vendosë të enjten nëse do t’i hapë rrugë negociatave me kompanitë turke për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, apo jo. Ndërkohë mes debatesh projektligji kalojë në komisionin parlamentar të Ekonomisë. Ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj shpjeguan detaje të projektit, ndërkohë që demokratët akuzuan se ky është pazari i radhës i qeverisë që fshihet pas infrastrukturës.

Debate dhe surpriza rezervoi Komisioni Parlamentar i Ekonomisë, i cili në mbyllje i çeli dritën jeshile nisjes së negociimit të kontratës së aeroportit ndërkombëtar të Vlorës me shoqëritë turke Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”.

Projektligji kaloi me votat e socialistëve dhe një të demokratëve, atë të deputetit të Vlorës Agron Shehaj.

Opozitën nuk e bindën argumentat që parashtruan ministri i Infrastrukturës e Energjisë dhe ai i Financave e Ekonomisë.

Sipas ministrit të Financave po i hapet rruga një mundësie të re fluturimi. Risku do të merret përsipër nga privati, ndërsa në buxhetin e shtetit do të parashikohet një kosto minimale për të subvencionuar trafikun e munguar, por demokratë e kundërshtuan këtë argument.

Rritja e konkurrencës nga vënia në funksion të aeroportit të ri sipas ministrave do të ulë tarifat e biletave të fluturimeve.

Të hënën vendimi për të nisur negociatat kaloi në komisionin parlamentar të veprimtarisë prodhuese, ndërsa të enjten pritet t’i kalojë parlamentit. Kontrata me shoqëritë turke parashikohet të mbyllet për 90 ditë dhe më pas për fillimin e investimit  100 milionë eurosh do të duhet të vendosë sërish Kuvendi./abcnews.al