TIRANË– Këtë të premte është bërë prezantimi i Albanian Digital Solution Sh.A., një tjetër iniciativë kjo që sipas kryeministrit Edi Rama, synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend
Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama foli për zhvillimin e teknologjisë dhe modernizimin e shërbimeve.
“Një kompani që të garantojë të gjithë vazhdimësinë teknike dhe të ofrojë përgjegjshmërinë më të lartë institucionale dhe qytetare. Duke garantuar matshmërinë e shërbimit. Kjo është ambicia që ka edhe një faturë. Faturë shumë domethënëse, shumë-kuptimplotë. Shkruar në bazë të një projeksioni, shifrave që ndryshojnë me ndryshimin e qasjes së qeverisë elektronike ndaj marrësve të shërbimit. Në rast se sot shpenzojmë më shumë vetëm për mirëmbajtjen e sistemeve, një shumë që u shkon kompanive private brenda një harku 3-vjeçar do t’i kursejmë shtetit dhe qeverisjes elektronike një shumë të barabartë që sot shkon për mirëmbajtjen që mund të kthehet në një investime. Sektori privat sot është në një kontrast dramatik”, tha ai.
Gjithashtu kryeministri Rama theksoi se sot teknologjia të jep mundësinë të bësh gjëra të paimagjinueshme. Rama shtoi se AI është e pranishme tashmë në procesin e punës.
“Qeveria e ka parë të krijohen kushtet për t’i dhënë më tepër theks që mund të vërë në sektorin e ekonomisë sektori publik.”, tha ai.
Rama gjithashtu u ndal edhe te investimet, duke thënë se shteti nuk po fal dhe se nuk do të falë asgjë, referuar kritikave për zhvillimet në Zvërnec.
“Shteti nuk po fal Zvërnecin, shteti aty nuk ka asgjë, ajo është një pronë private. Shteti ka pasuri në anën tjetër të projektit që është ishulli i Sazanit ku ende sot nuk kanë mbaruar negociatat. Shteti shqiptar do të jetë aty dhe toka e ishullit do të jetë e shtetit shqiptar. Një partner tjetër shtetëror i Emirateve të Bashkuara. Ne duam që cilido që vjen në Shqipëri të bashkë-prodhojë me ne, me shtetin shqiptar, me kompaninë”, tha ai.


